
“Po takoj dikë dhe kthehem menjëherë.”
Këto ishin fjalët e fundit të Sonia Bellina-s, influenceres franceze 29-vjeçare me rreth 250 mijë ndjekës në rrjetet sociale. Ishte ora 1 e natës mes 10 dhe 11 gushtit, kur ajo doli nga shtëpia e familjes në Saint-Gilles, në jug të Francës.
Sonia jetonte prej vitesh në Paris dhe ishte kthyer në vendlindje për pushimet e verës. Atë natë i tha motrës se do të takonte një burrë, një person që, sipas saj, “nuk e donte më në jetën e vet”. Ndoshta takimi duhej të ishte pikërisht për t’i dhënë fund marrëdhënies.
Nuk mori as çantën. Vetëm telefonin.
Pak më vonë celulari u fik. Sonia nuk u kthye më.
Një ditë pas denoncimit të zhdukjes, një fermer bëri një zbulim makabër mes vreshtave pranë Saint-Gilles: një trup i karbonizuar, aq i dëmtuar nga flakët sa ishte i pamundur identifikimi.
Për disa ditë, familja priti mes shpresës dhe frikës. Autopsia nuk dha përgjigje. Vetëm analizat e ADN-së zbuluan të vërtetën: trupi i djegur ishte i Sonia-s.
Tani hetuesit po përpiqen të rindërtojnë orët që mungojnë mes daljes së saj nga shtëpia dhe gjetjes së trupit.
Dy burra rreth të tridhjetave janë ndaluar nga autoritetet franceze. Njëri prej tyre, sipas të dhënave të deritanishme, ishte i njohur nga policia për episode dhune dhe armëmbajtje dhe dyshohet se ka qenë personi i fundit që ka pasur kontakt me influencer-en natën e zhdukjes.
Në hetim ka hyrë edhe një makinë e dyshimtë, e sinjalizuar atë mbrëmje në zonë.
Por pyetja kryesore mbetet ende pa përgjigje: kush ishte burri që Sonia doli të takonte atë natë dhe çfarë ndodhi pasi telefoni i saj u fik?
Ndërkohë, vdekja e saj ka sjellë një tjetër histori të errët. Nën videot e 29-vjeçares në TikTok kanë nisur të shfaqen komente brutale dhe pretendime për jetën e saj private, madje edhe mesazhe që e fajësojnë për fundin tragjik.
Familja ka paralajmëruar se mund t’i drejtohet drejtësisë edhe për këtë valë urrejtjeje.
Nga një dalje që duhej të zgjaste vetëm pak minuta, te një telefon që fiket papritur, një trup i djegur mes vreshtave, dy burra të ndaluar dhe një makinë që po hetohet: zhdukja e Sonia Bellina-s është kthyer në një nga historitë më të errëta të kësaj vere në Francë.






















