Kompleksi luksoz grek “Principote Mykonos” ka reaguar pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në plazhin “Principotes” në Ksamil, ngjarje për të cilën autor i dyshuar është 29-vjeçari Sokrat Vata.
Përmes një deklarate publike, përfaqësuesit e markës greke sqarojnë se nuk kanë asnjë marrëdhënie biznesi apo lidhje tjetër me beach-barin në Ksamil, duke pretenduar se subjekti shqiptar po përdor në mënyrë të paligjshme emrin dhe markën e tyre të regjistruar.
“PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo tjetër me lokalin e mësipërm shqiptar”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Kompania bën të ditur se kishte ndërmarrë edhe veprime ligjore ndaj subjektit në Shqipëri, me qëllim ndalimin e përdorimit të emrit dhe reputacionit të markës së saj.
Reagimi vjen ndërsa autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes ku humbi jetën turisti 20-vjeçar portugez.






















