Sociale 20 August 2026, 14:03 Nga VNA

Mjekësia shqiptare sipas një turisteje australiane: Spitali nuk kishte as akull, ndërsa Ministria më shpalli të shëruar

Ndaje në Whatsapp
Mjekësia shqiptare sipas një turisteje australiane: Spitali nuk kishte

Historia e turistes australiane Amy Lecons, e cila u pickua nga një gjarpër helmues gjatë një ecjeje në Alpet Shqiptare, u prezantua në fund të qershorit si një histori suksesi e shërbimit shëndetësor shqiptar. Ministria e Shëndetësisë njoftoi atëherë se ekipet mjekësore kishin reaguar menjëherë, se turistja kishte marrë trajtimin e nevojshëm dhe se ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Por, gati dy muaj më vonë, vetë Lecons jep një version shumë më kompleks të asaj që ndodhi.

Në një intervistë ekskluzive për Truth Times, australiania, një vrapuese shtigjesh me bazë në Zelandën e Re, rrëfen jo vetëm frikën se mund të vdiste e vetme në mal, por edhe vështirësitë që thotë se hasi për të kontaktuar urgjencën, kushtet në spital dhe mënyrën se si, sipas saj, historia u përdor më pas për të krijuar një imazh shumë më pozitiv të sistemit shëndetësor shqiptar nga ai që ajo kishte përjetuar.

Lecons tregon se pas pickimit tentoi të kontaktonte numrin 112. Sipas rrëfimit të saj për Truth Times, komunikimi dështoi dhe ajo nuk arriti të siguronte ndihmën përmes telefonatave të para të emergjencës.

Në atë situatë telefonoi të atin, Robert Lecons, mjek në Australi. Ai e udhëzoi nga mijëra kilometra larg se si të imobilizonte këmbën dhe të përpiqej të mbante të ulëta rrahjet e zemrës, ndërsa po bëheshin përpjekje për të përcaktuar vendndodhjen e saj dhe për të organizuar shpëtimin.

Një rol vendimtar, sipas saj, luajti edhe pronari i hostelit ku ajo kishte qëndruar në Shkodër, i cili nisi të kontaktonte strukturat lokale dhe arriti të krijonte lidhjen me klinikën verore të Valbonës.

Lecons nuk kursen falënderimet për njerëzit që mbërritën deri tek ajo. Përkundrazi, në intervistë ajo bën një dallim të qartë mes problemeve të sistemit dhe njerëzve që e shpëtuan. Ajo shpreh mirënjohje për personelin e klinikës së Valbonës, infermieren dhe banorët që ndihmuan për ta nxjerrë nga terreni i vështirë. Një prej tyre, sipas saj, e mbajti edhe në shpinë.

Problemet, sipas rrëfimit të australianes, vazhduan pasi mbërriti në spitalin e Bajram Currit dhe mori antivenomin.

Në intervistën për Truth Times, Lecons pretendon se iu desh rreth një ditë për të siguruar letër higjenike. Kur kërkoi akull për këmbën e dëmtuar, sipas saj, iu tha se spitali nuk kishte dhe se duhej t’i kërkonte dikujt ta blinte jashtë.

Ajo përshkruan gjithashtu një dhomë me vetëm një prizë elektrike, çka bënte që pajisjet të përdoreshin me radhë. Edhe më problematik është rrëfimi i saj për kushtet bazë të qëndrimit: Për shkak se nuk mund të ecte dhe hyrja nuk lejonte kalimin e karrocës, ajo thotë se u detyrua të kryente nevojat personale në shtrat.

Këto janë pretendime të Lecons të bëra në intervistën për Truth Times dhe nuk rezultojnë të jenë verifikuar në mënyrë të pavarur. Por ato krijojnë një kontrast të fortë me mënyrën se si ngjarja u komunikua zyrtarisht në Shqipëri.

Në fund të qershorit, Ministria e Shëndetësisë deklaronte se strukturat shëndetësore shqiptare ishin të përgatitura për të garantuar sigurinë e turistëve edhe në zonat më të thella malore. Sipas Ministrisë, ekipet e Qendrës Shëndetësore Verore të Valbonës kishin reaguar menjëherë, kishin dhënë ndihmën e parë në terren dhe kishin realizuar transportimin drejt strukturave shëndetësore.

Vetë videot e publikuara në atë kohë nga Lecons tregonin megjithatë një situatë më dramatike. Në njërën prej tyre ajo thoshte se ambulanca nuk po arrinte ta gjente, ndërsa dëgjohej duke bërtitur për ndihmë.

Pikërisht mënyra se si historia e saj u përdor më pas në Shqipëri është një nga pjesët më të forta të intervistës së Truth Times.

Lecons pretendon se mediat shqiptare morën kryesisht pjesët pozitive të videove të saj, duke vënë në qendër shpëtimin dhe përkushtimin e personave që e ndihmuan, por duke lënë jashtë problemet që ajo thotë se kishte hasur me urgjencën dhe më pas në spital.

Sipas saj, gazetarët që publikuan historinë nuk e kishin kontaktuar përpara publikimit.

Ajo kundërshton gjithashtu mënyrën se si u paraqit gjendja e saj shëndetësore. Ndërsa Ministria deklaronte se turistja kishte marrë trajtimin e nevojshëm dhe “gëzonte shëndet të plotë”, Lecons thotë për Truth Times se në atë moment ajo ende nuk ishte në gjendje të ecte. Deklarata zyrtare e Ministrisë për gjendjen e mirë të saj u raportua gjerësisht nga mediat shqiptare.

Në fund, australiania thotë se bisedat me shqiptarët e bënë ta shihte historinë e saj ndryshe. Për të, të fliste vetëm për mikpritjen dhe njerëzit që e shpëtuan nuk mjaftonte. Ajo vendosi të tregonte edhe atë që pretendon se kishte parë nga afër në sistemin shëndetësor.

Mesazhi me të cilin ajo e përmbledh përvojën e saj është ndoshta edhe akuza më e fortë e gjithë intervistës:

“Një vend nuk mund të kujdeset për turistët nëse më parë nuk mund të kujdeset për njerëzit e vet.”

Historia e Amy Lecons mbetet, në fakt, histori e dy realiteteve: E njerëzve që hynë në mal dhe bënë gjithçka për të shpëtuar një të huaj, dhe e një sistemi që, sipas dëshmisë së saj, kishte vështirësi t’i siguronte më pas edhe gjërat më elementare.

Dhe është pikërisht ky dallim që humbi kur rasti u shndërrua në një histori suksesi të mjekësisë shqiptare.

Video

Spektakël dhe adrenalinë në qiell! Rreth 150 pilotë nga e gjithë bota konkurruan në Kampionatin Botëror të Paragliding, duke përshkuar një itinerar prej rreth 100 kilometrash me pika të përcaktuara përmes GPS-it. Shpejtësia, koha dhe qëndrimi në krye të garës përcaktuan pikët, ndërsa dhjetëra paragliderë dhuruan pamje spektakolare në qiell.

Një ngjarje e rëndë është raportuar pranë kufirit mes Republikës së Afrikës Qendrore dhe Kamerunit, ku një rrëshqitje dheu ka goditur një minierë artizanale ari. Sipas autoriteteve lokale, dhjetëra persona dyshohet se janë varrosur nën masën e dheut, ndërsa ekziston frika se disa prej tyre mund të jenë ende të bllokuar nëntokë. Ngjarja ka ndodhur teksa njerëzit ndodheshin duke punuar në minierë. Rrëshqitja e dheut ka zënë në befasi punëtorët, duke shkaktuar një situatë të rëndë. Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të viktimave, ndërsa vijojnë përpjekjet për të përcaktuar numrin e personave të bllokuar dhe për zbardhjen e plotë të përmasave të tragjedisë.

Policia Kufitare në aeroportin Milano Malpensa ka arrestuar 10 gra, mes tyre edhe të mitura, të dyshuara për rreth 100 vjedhje. Sipas autoriteteve, ato shfrytëzonin turmat në ashensorë për të shpërqendruar udhëtarët dhe për t’u vjedhur kuleta, para dhe sende me vlerë.

Policia Kufitare në aeroportin Milano Malpensa ka arrestuar 10 gra, mes tyre edhe të mitura, të dyshuara për rreth 100 vjedhje. Sipas autoriteteve, ato shfrytëzonin turmat në ashensorë për të shpërqendruar udhëtarët dhe për t’u vjedhur kuleta, para dhe sende me vlerë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme