Sociale 20 August 2026, 09:08 Nga VNA

“Na tradhtuan”/ Ndihmoi CIA-n me informacione për Bin Ladenin, shqiptari nga Kosova rrezikon dëbimin nga SHBA

Ndaje në Whatsapp
“Na tradhtuan”/ Ndihmoi CIA-n me informacione për Bin Ladenin,

Një burrë me origjinë nga Kosova, i cili pretendon se ka punuar si informator për CIA-n dhe ka dhënë informacione të vlefshme për Osama bin Ladenin dhe persona të lidhur me terrorizmin, rrezikon të dëbohet nga Shtetet e Bashkuara.

Blerim Skoro, 55 vjeç dhe baba i tre fëmijëve, u arrestua në fillim të këtij muaji nga agjentët e Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE), jashtë një qendre emigracioni. Pas arrestimit, avokatët e tij kanë kërkuar ndërprerjen e procedurave të dëbimit.

Historia e Skoros me autoritetet amerikane daton që nga periudha menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Sipas raportimeve të mediave amerikane dhe britanike, ai ndodhej në burg për trafik droge kur u rekrutua për të bashkëpunuar me CIA-n.

Në një intervistë të dhënë për “The Times” në vitin 2024, Skoro tregonte se nuk kishte hezituar ta pranonte ofertën.

“E konsideroja veten së pari patriot të Amerikës dhe më pas mysliman. Doja t’ia shpërbleja këtij vendi”, deklaronte ai.

Gjatë kohës në burg, Skoro thuhet se ndau qelinë me personin që qëndronte pas të ashtuquajturit “Millennium Plot”, një komplot terrorist që kishte në shënjestër Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angelesit. Ai gjithashtu i dha FBI-së informacione për Faysal Galab, pjesëtar i grupit të njohur si “Lackawanna Six”.

Skoro pretendon se autoritetet amerikane i kishin premtuar siguri në këmbim të bashkëpunimit. Megjithatë, pas lirimit nga burgu në vitin 2007, ai u dëbua nga SHBA-ja, pavarësisht se ishte i martuar me një shtetase amerikane.

Vetëm dy ditë pas dëbimit, sipas raportimeve, Skoro ofroi sërish bashkëpunimin e tij me autoritetet amerikane. Ai pretendon se më pas arriti të depërtonte deri në një kamp stërvitor të Al-Qaeda-s dhe se gjatë kësaj periudhe u takua edhe me një drejtues të talebanëve pakistanezë.

Sipas dokumenteve të FBI-së të cituara nga CBS News, Skoro u kishte dhënë autoriteteve amerikane informacione të konsideruara të besueshme edhe për Osama bin Ladenin.

Ai u rikthye ilegalisht në Shtetet e Bashkuara pasi, sipas versionit të tij, identiteti si informator iu zbulua dhe mbeti i plagosur gjatë një tentative për vrasje në Kosovë. Dy vjet më vonë u ndalua nga autoritetet amerikane të emigracionit.

Tashmë, përballë mundësisë së një dëbimi të ri, Skoro pretendon se kthimi në Kosovë do ta vendoste jetën e tij në rrezik.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do të më tradhtonin në këtë mënyrë. Ju lutem, nëse duhet të vdes, dua të vdes në këtë vend, në mënyrë që fëmijët e mi të mund të më varrosin”, tha ai nga qendra e ndalimit Elizabeth në New Jersey.

Edhe bashkëshortja e tij, Susan, ka reaguar ashpër ndaj situatës.

“Ata e tradhtuan. Ai e ka kryer dënimin e tij dhe pothuajse humbi jetën. Ai meriton falje”, deklaroi ajo, duke shtuar se familja beson se Skoro nuk mund të dëbohet në mënyrë të sigurt.

Tashmë çështja e 55-vjeçarit është në duart e autoriteteve dhe gjykatave amerikane të emigracionit, ndërsa ekipi i tij ligjor po përpiqet të ndalojë dëbimin.

Video

Spektakël dhe adrenalinë në qiell! Rreth 150 pilotë nga e gjithë bota konkurruan në Kampionatin Botëror të Paragliding, duke përshkuar një itinerar prej rreth 100 kilometrash me pika të përcaktuara përmes GPS-it. Shpejtësia, koha dhe qëndrimi në krye të garës përcaktuan pikët, ndërsa dhjetëra paragliderë dhuruan pamje spektakolare në qiell.

Një ngjarje e rëndë është raportuar pranë kufirit mes Republikës së Afrikës Qendrore dhe Kamerunit, ku një rrëshqitje dheu ka goditur një minierë artizanale ari. Sipas autoriteteve lokale, dhjetëra persona dyshohet se janë varrosur nën masën e dheut, ndërsa ekziston frika se disa prej tyre mund të jenë ende të bllokuar nëntokë. Ngjarja ka ndodhur teksa njerëzit ndodheshin duke punuar në minierë. Rrëshqitja e dheut ka zënë në befasi punëtorët, duke shkaktuar një situatë të rëndë. Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të viktimave, ndërsa vijojnë përpjekjet për të përcaktuar numrin e personave të bllokuar dhe për zbardhjen e plotë të përmasave të tragjedisë.

Policia Kufitare në aeroportin Milano Malpensa ka arrestuar 10 gra, mes tyre edhe të mitura, të dyshuara për rreth 100 vjedhje. Sipas autoriteteve, ato shfrytëzonin turmat në ashensorë për të shpërqendruar udhëtarët dhe për t’u vjedhur kuleta, para dhe sende me vlerë.

Policia Kufitare në aeroportin Milano Malpensa ka arrestuar 10 gra, mes tyre edhe të mitura, të dyshuara për rreth 100 vjedhje. Sipas autoriteteve, ato shfrytëzonin turmat në ashensorë për të shpërqendruar udhëtarët dhe për t’u vjedhur kuleta, para dhe sende me vlerë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme