
Në korridoret e Pentagonit kanë nisur ta quajnë “First Lady e Pentagonit”. Por në Uashington qarkullon prej kohësh dyshimi se Jennifer Hegseth mund të ketë ambicie për ta hequr një ditë fjalën “Pentagon” nga ky përkufizim dhe të mbetet thjesht Zonja e Parë.
Gruaja e tretë e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk është thjesht bashkëshortja që shfaqet në krah të tij në ceremonitë zyrtare. Sipas një profili të New York Times, ndikimi i saj është shtrirë deri në zemër të mënyrës se si funksionon rrethi i një prej njerëzve më të fuqishëm të administratës amerikane.
Ajo merret me marrëdhëniet e bashkëshortit me median, ka marrë pjesë në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve të tij, ka zhvilluar intervista për punësime dhe largime nga puna dhe e shoqëron Hegseth në një pjesë të aktiviteteve të tij me ushtrinë.
Dhe ndërkohë Pete Hegseth ka nisur të shfaqet privatisht në Iowa.
Në politikën amerikane, Iowa nuk është një destinacion dosido. Është shteti ku republikanët tradicionalisht nisin betejën e primareve presidenciale. Për vitin 2028, vetëm prania e një politikani ambicioz atje mjafton për të ndezur spekulimet.
Historia e Jennifer dhe Pete Hegseth, ndërkohë, ka nisur shumë larg Pentagonit.
Pete, i lindur në Minnesota, studioi në Princeton dhe më pas shërbeu në Irak dhe Afganistan. Pas kthimit ndërtoi karrierën e tij si komentator në Fox News. Pikërisht aty njohu Jennifer-in, vajzën e një drejtuesi të Lockheed Martin, e rritur në Maryland dhe producente në televizionin e Rupert Murdoch.
Të dy ishin të martuar.
Marrëdhënia nisi fshehurazi, përfundoi me divorcet e tyre respektive dhe më pas me martesën. Mes tyre kishin gjashtë fëmijë nga marrëdhëniet e mëparshme.
Pete Hegseth ka folur vetë për problemet që kishte pasur me alkoolin dhe thotë se nga një periudhë e errët e jetës e shpëtuan “dy J-të”: Jennifer dhe Jesus — Jennifer dhe Jezusi, pikërisht në këtë renditje.
Sot Jennifer konsiderohet nga njerëzit rreth tij si personi që kujdeset që bashkëshorti të mos i afrohet alkoolit. Por roli i saj duket se shkon shumë më larg.
Sipas raportimeve, ajo ka ndikim në marrëdhëniet me gazetarët dhe në përzgjedhjen e njerëzve që punojnë me Hegseth. Në rastin e ish-zëdhënësit John Ullyot, ajo raportohet se ishte përfshirë edhe në procesin që çoi në largimin e tij.
Jennifer shfaqet me bashkëshortin gjatë vizitave te trupat amerikane, e ka shoqëruar në plazhet e zbarkimit të Normandisë dhe është bërë presidente e një organizate të bashkëshorteve të ushtarakëve.
Por prania e saj pranë çështjeve të sigurisë kombëtare ka krijuar edhe polemika shumë më serioze.
Jennifer ishte pjesë e bisedës në Signal ku Hegseth kishte shpërndarë informacione mbi planet e sulmeve kundër Houthi-ve në Jemen.
Një tjetër episod shkaktoi siklet gjatë një takimi me zyrtarë britanikë të mbrojtjes, ku diskutohej për pasojat strategjike të pezullimit të shkëmbimit të inteligjencës me Ukrainën. Jennifer ishte ulur pranë bashkëshortit.
Problemi ishte i thjeshtë: zyrtarët britanikë duhej të diskutonin sekrete ushtarake dhe nuk ishte e qartë nëse gruaja e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes kishte autorizimin e nevojshëm për informacion të klasifikuar.
Në fund ajo u largua nga dhoma.
Në Uashington, sigurisht, ndikimi i një bashkëshorteje të fuqishme prodhon gjithmonë thashetheme, rivalitete dhe akuza. Mbrojtësit e Jennifer mund të argumentojnë se një pjesë e kritikave lidhet pikërisht me faktin se ajo po fiton ndikim me shpejtësi.
Por pyetja mbetet: ku mbaron roli i bashkëshortes dhe ku fillon pushteti real?
Sepse ndërsa Jennifer bëhet gjithnjë e më e pranishme në orbitën e Pentagonit, Pete Hegseth po shikon nga Iowa.
Dhe në Uashington kombinimi i këtyre dy gjërave lexohet shumë lehtë.
Sot e quajnë “First Lady e Pentagonit”.
Nëse ambiciet presidenciale të Pete Hegseth janë reale, Jennifer mund të jetë duke u përgatitur për një titull shumë më të shkurtër: First Lady e Shteteve të Bashkuara.






















