
Mijëra palestinezë morën pjesë të enjten në ceremoninë mortore për 50 persona, trupat dhe mbetjet e të cilëve u nxorën gjatë dy javëve të fundit nga rrënojat e banesave të bombarduara në Rripin e Gazës.
Procesioni i varrimit nisi nga Spitali Al-Shifa në Qytetin e Gazës, ku krahas mijëra qytetarëve morën pjesë edhe përfaqësues politikë, të komunitetit dhe fiseve lokale, raporton Anadolu.
Trupat dhe mbetjet e viktimave, të mbështjella me flamuj palestinezë, u dërguan për faljen e namazit të xhenazes dhe më pas u varrosën në varrezat Al-Ahli, në lagjen Zeitoun të Qytetit të Gazës.
Sipas raportimit, viktimat u përkisnin familjeve Sawafiri, Batniji, Karam, Al-Af, Haraz dhe Raqiq. Ata kishin humbur jetën gjatë sulmeve izraelite që goditën banesat e tyre në Qytetin e Gazës në dhjetor të vitit 2023.
Nxjerrja e trupave është pjesë e operacioneve që vijojnë në Gaza për gjetjen e viktimave të mbetura nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara gjatë luftës.
Mbrojtja Civile e Gazës bëri të ditur se operacionet e kërkim-rikuperimit po zhvillohen “me mjete të thjeshta dhe me një ritëm të ngadaltë”, për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve të nevojshme.






















