Turqia ka nisur procedurat për të kërkuar lëshimin e një njoftimi të kuq të Interpolit ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në kuadër të çështjes penale të hapur për ndërhyrjen e forcave izraelite ndaj flotiljes humanitare që po udhëtonte drejt Gazës.
Lajmi u bë i ditur këtë të premte, 21 gusht, nga ministri turk i Drejtësisë, Akın Gürlek, i cili njoftoi se kërkesa përfshin edhe Afek Moskovitch, të identifikuar nga autoritetet turke si zyrtar izraelit i sigurisë.
Sipas Gürlek, procesi lidhet me ndërhyrjen ndaj aktivistëve të Global Sumud Flotilla në ujërat ndërkombëtare, ndërsa çështja po shqyrtohet nga Gjykata e 11-të Penale e Shkallës së Lartë në Stamboll.
Në dosje janë 35 të pandehur, mes tyre Netanyahu dhe Moskovitch. Gjykata turke kishte lëshuar më 14 korrik 2026 urdhër-arreste ndaj të dyve nën akuzën e “gjenocidit”. Pas këtyre vendimeve, Ministria turke e Drejtësisë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të nisë procedurat për kërkimin e tyre në nivel ndërkombëtar përmes Interpolit. Dokumentacioni përkatës i është përcjellë gjithashtu Ministrisë së Jashtme.
Autoritetet turke i atribuojnë Netanyahut dhe Moskovitchit një sërë akuzash të rënda, mes të cilave krime kundër njerëzimit, gjenocid, privim të paligjshëm të lirisë, plagosje me dashje, torturë, dëmtim prone, grabitje të rëndë dhe rrëmbim mjeti lundrues.
Procedimi lidhet me ndërhyrjen e Izraelit ndaj flotiljes që synonte të dërgonte ndihma humanitare në Rripin e Gazës dhe me ndalimin e aktivistëve që ndodheshin në bord.
Kërkesa e Ankarasë nuk do të thotë se Interpoli e ka lëshuar tashmë njoftimin e kuq. Interpol duhet ta shqyrtojë kërkesën përpara se të vendosë nëse do ta publikojë atë. Po ashtu, një njoftim i kuq nuk është në vetvete një urdhër-arrest ndërkombëtar, por një kërkesë drejtuar autoriteteve të vendeve anëtare për lokalizimin dhe ndalimin e përkohshëm të një personi, sipas legjislacionit të secilit shtet.






















