
Bashkia Poliçan ka vijuar dëgjesat publike me qytetarët në kuadër të konsultimeve për reformën e re administrative-territoriale. Gjatë takimit të zhvilluar në qytet, banorët kundërshtuan propozimin për bashkimin e Bashkisë Poliçan me Bashkinë Berat, duke ngritur shqetësime për pasojat që, sipas tyre, një ndryshim i tillë do të sillte për zonën.
Një prej qytetareve të pranishme e cilësoi projektin e reformës si “shfarosës dhe denigrues”, ndërsa solli si shembull pasojat që, sipas saj, shkaktoi shkrirja e mëparshme e komunave. Ajo ngriti shqetësime për largimin e shërbimeve, varfërimin e zonave dhe përkeqësimin e kushteve të arsimit.
Duke iu drejtuar kryeministrit, qytetarja kërkoi reflektim për propozimin, duke theksuar se banorët do të kundërshtojnë çdo vendim që, sipas tyre, cenon të ardhmen e Poliçanit.
“Zoti kryeministër, qytetarët e Poliçanit nuk kanë bërë asnjë turp me flakën që i vunë teserave, por i kanë thënë stop zjarrit e vullkanit që po ndiznin në zemrat e shqiptarëve. Ne nuk jemi marioneta, por do të luftojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë. I them jo kësaj reforme denigruese”, deklaroi ajo.
Kundër bashkimit me Beratin u shpreh edhe një prind dhe trajner i të rinjve në Poliçan, i cili e cilësoi reformën “vrastare për qytetin”. Ai kërkoi që për një vendim të tillë të pyeten drejtpërdrejt banorët përmes referendumit.
“Unë nuk largohem nga vatani im, fëmijët e mi do t’i rris këtu. Nuk e lë vatanin e prindërve të mi që kanë derdhur 40 vjet djersë. Politika duhet të na pyesë ne; të bëhet referendum dhe ta vendosim me votën tonë”, deklaroi ai.
Një tjetër banor përdori tone të forta, duke e cilësuar humbjen e autonomisë vendore si një “gjenocid të kohëve moderne” përmes mekanizmave administrativë. Sipas tij, shkrirja e bashkisë rrezikon të largojë shërbimet bazë nga qytetarët.
Ai u bëri thirrje gjithashtu deputetëve të qarkut të Beratit që të dëgjojnë shqetësimet e banorëve dhe të mbajnë qëndrim për çështjen.
“Deputetët e zonës tonë duhet të vijnë këtu ballë për ballë, t’i dëgjojnë kërkesat e popullit sepse u kemi dhënë votën. Ne do ta bëjmë betejën me ligj e me rregulla deri në fund, sepse na takon të qëndrojmë si bashki”, u shpreh ai.





















