
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar zyrtarisht lidhur me një aktivitet kulturor të zhvilluar në Pustec, ku merreshin pjesë drejtues të lartë institucionalë, duke ngritur shqetësimin për mospërdorimin e simboleve shtetërore të Shqipërisë.
Përmes një deklarate zyrtare, MEPJ ka shprehur keqardhjen që gjatë këtij organizimi nuk u luajt Himni Kombëtar Shqiptar, përkrah atij të Maqedonisë së Veriut, në një kohë kur pranishëm ishin Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Kryetari i Bashkisë së Pustecit.
"MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut."
Edhe pse eventi u organizua nga një shoqatë e zonës, diplomacia shqiptare thekson se pesha e autoriteteve të pranishme kërkonte zbatimin rigoroz të rregullave protokollare.
"Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë."
Më tej, në reagimin e saj, Ministria nëntatëse se respekti ndaj simboleve shtetërore qëndron mbi çdo interpretim politik dhe shërben si bazë për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë:
"Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme."
"Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona."





















