Bota 23 August 2026, 08:30 Nga VNA

Sekretet ushtarake kthehen në baste: 152 portofole në Polymarket fituan 8 milionë dollarë me sukses 97.2%

Ndaje në Whatsapp
Sekretet ushtarake kthehen në baste: 152 portofole në Polymarket

Nga Douglas Gillison

Sipas një studimi, më shumë se 150 portofole tregtimi në “Polymarket International” mund të kenë tregtuar duke përdorur informacione të brendshme rreth ushtrisë amerikane, të kenë nxitur baste kopje dhe të kenë ngritur shqetësimin se tregu mund të transmetojë sinjale që mund të shfrytëzohen nga kundërshtarë të huaj.

Analiza e kryer nga organizata jofitimprurëse kërkimore “Anti-Corruption Data Collective” (ACDC), e raportuar fillimisht nga “Reuters”, hedh dritë të re mbi tregtimin e mundshëm në tregun e parashikimesh duke u bazuar në informacion të brendshëm nga persona të lidhur me ushtrinë dhe mbi rreziqet më të gjera që mund të sjellë një aktivitet i tillë.

Kjo ndodh në një kohë kur politikëbërësit po rrisin kontrollin ndaj kësaj industrie në rritje, pas basteve të vendosura përpara operacioneve ushtarake amerikane. Një prej rasteve është ai i një ushtari amerikan, i akuzuar në prill se kishte përdorur informacione të klasifikuara për të vënë baste mbi rrëzimin e presidentit venezuelian Nikolas Maduro në janar. Ligjvënësit kanë thënë se raste të tilla mund të dëmtojnë sigurinë kombëtare.

Përfaqësuesit e “Polymarket”, themeluar në vitin 2020, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. “Polymarket” thotë se ka kontrolle të rrepta, monitoron nga afër aktivitetin e dyshimtë dhe ka referuar te autoritetet dhjetëra portofole tregtuesish, përfshirë rastin e Maduros. Platforma ndërkombëtare e “Polymarket” i përfundon plotësisht transaksionet përmes një blockchain-i, që do të thotë se bastet janë publike, megjithëse tregtuesit mbeten anonimë. ACDC analizoi të gjitha transaksionet e përfunduara në treg deri më 5 maj, për të identifikuar bastet me probabilitet të ulët për sukses, të cilat përcaktohen si baste prej të paktën 2,500 dollarësh, të vendosura në mënyrë kumulative brenda një ore ose më pak, për një rezultat me probabilitet suksesi prej 35% ose më të ulët.

Brenda këtij grupi, ACDC gjeti 556 portofole, të cilat i quajti “Orcas”, duke iu referuar teknikave të sakta dhe përzgjedhëse të gjuetisë të balenave vrasëse. Si rregull këta tregutues hapnin një llogari dhe vendosnin shpejt një bast me probabilitet të ulët suksesi, por me shkallë shumë të lartë fitimi, në tregje të specializuara ku personat që kanë informacion të brendshëm mund të kishin avantazh informativ. Në shumë raste, më pas i tërhiqnin paratë dhe zhdukeshin.

Nga këto, 152 portofole jashtëzakonisht të suksesshme kishin vendosur baste në tregjet ushtarake dhe të mbrojtjes. Së bashku, ato fituan 8 milionë dollarë, me një normë mesatare suksesi prej 97.2%. ACDC theksoi se tiparet e “Orcas” mund të kenë edhe shpjegime të tjera, përfshirë thjesht fatin. Po ashtu, jo të gjithë personat e mundshëm që zotërojnë informacion të brendshëm janë “Orcas”.

Gannon Ken Van Dyke, ushtari për të cilin prokurorët thonë se fitoi 400,000 dollarë duke vënë baste për largimin e Maduros, e ndërtoi pozicionin e tij më ngadalë dhe për këtë arsye nuk është pjesë e 152 “Orcas” ushtarake të identifikuara. Van Dyke është deklaruar i pafajshëm.

Megjithatë, sipas raportit, këto portofole janë ato që kanë më shumë gjasa të kenë tregtuar duke përdorur sekrete ushtarake. Ndërsa disa prej 152 portofoleve ishin identifikuar më parë nga studiues të tjerë dhe nga media, ACDC thotë se ka zbuluar dhjetëra portofole të tjera që nuk ishin raportuar më parë. Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së nuk komenton mbi çështje që lidhen me inteligjencën apo gjetjet e studimeve të kryera nga palë të treta, tha një zëdhënës.

Nxjerrja e fitimit duke përdorur informacione konfidenciale të qeverisë është përgjithësisht i paligjshëm, por shqetësimi më i madh qëndron në faktin se tregtimet e “Orcas” ushtarake duket se nxisin baste kopje nga tregtues me kapital të madh, të quajtur “Whales” (balenat), si dhe nga robotë të automatizuar të tregtimit, tha ACDC.

Megjithëse tregimi kopje në vetvete është i ligjshëm dhe është dokumentuar më parë në tregjet e parashikimeve, ACDC gjeti shenja se ai mund të amplifikojë sinjalet e “Orcas” dhe t’i transmetojë ato në një shkallë shumë më të gjerë. Për shembull, kur një “Orca” vendosi një bast mbi një ndërhyrje ushtarake amerikane në Iran, disa orë përpara sulmeve të qershorit 2025, një “Bot” dhe një “Whale” vendosën baste kopje përkatësisht prej 200,000 dhe 100,000 dollarësh.

Baste të ngjashme nga “Orcas”, përpara sulmeve ajrore amerikano-izraelite ndaj Teheranit në shkurt, duket se shkaktuan gjithashtu një numër të madh bastesh të para me probabilitet të ulët suksesi nga “Bots” dhe “Whales”, të cilët vunë para në të njëjtin rezultat, sipas studimit.

“Shumica e njerëzve e nënvlerësojnë jashtëzakonisht shumë se sa i dukshëm është në të vërtetë aktiviteti i pazakontë i basteve në Polymarket. Gjithçka është aty në internet dhe ne mund të shohim shenja të qarta se tregtarë të mëdhenj dhe robotë po kopjojnë tregti të mundshme të personave të brendshëm”, tha bashkëthemeluesi i ACDC, David Szakonyi. “Do të ishte naive të mendohej se agjencitë e inteligjencës së huaj nuk po i monitorojnë këto tregje.”

Polymarket ka deklaruar se regjistri i saj publik mundëson një kontroll më të madh të aktivitetit. Një zëdhënës i Commodity Futures Trading Commission (CFTC), e cila po kërkon kompetenca mbi tregjet e parashikimeve, nuk komentoi gjetjet. Rregullatori ka deklaruar se do të mbikëqyrë rreptësisht sjelljet e paligjshme në këtë sektor dhe deri tani ka ngritur akuza në të paktën tre raste.

ACDC përbëhet nga akademikë dhe hetues me ekspertizë në financat e paligjshme dhe synon të nxisë reforma kundër korrupsionit. Grupi argumenton se të gjithë tregtarët duhet të detyrohen të verifikojnë identitetin e tyre dhe se pagesat nga tregtitë e dyshimta duhet të mbahen pezull deri në përfundimin e hetimit.

Megjithatë, sipas ACDC, për të ulur realisht rrezikun e tregtimit bazuar në informacioni të brendshëm, duhet të ndalohen tregjet ku përdorimi i informacionit jopublik mund të jetë veçanërisht i dobishëm dhe fitimprurës. “Kufizimi i llojit të njerëzve që mund të vendosin baste në tregjet e parashikimeve ose mbështetja vetëm te hetimet e autoriteteve ligjzbatuese… nuk do të jetë e mjaftueshme”, tha grupi.

Video

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme zonën pranë tunelit në Ujin e Ftohtë, në Vlorë. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe me pisha dhe bredha, ndërsa në afërsi ndodhen disa hotele dhe biznese. Forcat zjarrfikëse po vijojnë ndërhyrjen për vënien nën kontroll dhe shuarjen e zjarrit. Situata paraqitet e vështirë për shkak të bimësisë së dendur, terrenit të vështirë dhe rrezikut të përhapjes së flakëve.

Një robot humanoid kinez raportohet se ka përshkuar 100 metra për vetëm 9.39 sekonda, më shpejt se rekordi botëror prej 9.58 sekondash i Usain Bolt, i vendosur në vitin 2009. Megjithatë, rezultati i robotit nuk konsiderohet rekord botëror në atletikë, pasi testi nuk është zhvilluar në kushtet e një gare zyrtare.

Një operacion shpëtimi është zhvilluar në Aladağlar, në provincën Niğde të Turqisë, ku një alpinist britanik 26-vjeçar mbeti i bllokuar në një zonë të thepisur shkëmbore. Sipas mediave turke, Daniel Tohomas Martin u rrëzua gjatë ngjitjes në zonën Lahit Kaya dhe theu krahun. Terreni i vështirë e bëri të pamundur ndërhyrjen nga toka, ndaj u kërkua ndihma e Forcave Ajrore turke. Një helikopter ushtarak u nis nga Konya dhe arriti të evakuonte britanikun nga shkëmbinjtë, përpara se ai të transportohej për ndihmë mjekësore.

Një stuhi e fuqishme goditi aeroportin e Forlìt në Itali, duke shkaktuar situatë të rrezikshme në pistë. Erërat e forta ngritën nga toka tre avionë të vegjël dhe i spostuar disa metra. Ndërkohë, një avion tjetër u devijua nga drejtimi gjatë uljes për shkak të erës së fuqishme. Për arsye sigurie, aeroporti u mbyll për rreth një orë, derisa stuhia u qetësua. Moti i keq përfshiu edhe qytetin e Forlìt, ku reshjet e dendura të shiut përmbytën disa rrugë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme