Shefi i sigurisë së Iranit, Mohsen Rezaei, ka kërcënuar se Teherani mund të ndalojë tërësisht qarkullimin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, nëse vendet fqinje i bashkohen presionit ekonomik të SHBA-së ndaj Iranit.
Rezaei, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, deklaroi se Teherani është i gatshëm të “neutralizojë luftën ekonomike” të Washingtonit dhe paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj ndërmarrin hapa të tjerë kundër Iranit.
“Amerika është ngujuar në një qoshe. Ose i respektojnë zotimet e tyre, ose do të duhet të përpiqen të dalin nga ajo qoshe, gjë që do ta përkeqësojë situatën”, tha Rezaei, sipas Press TV.
Ai paralajmëroi veçanërisht vendet fqinje të Iranit, duke thënë se nëse ato i bashkohen luftës ekonomike të Presidentit Donald Trump, Teherani nuk do të lejojë kalimin e naftës përmes Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, Irani ka lejuar disa cisterna irakiane të kalojnë përmes kësaj rruge ujore strategjike, ndërsa sipas Rezaeit, vendi ka eksportuar rreth 70 milionë fuçi nafte vetëm gjatë një ose dy muajve të fundit.
Sipas Departamentit amerikan të Energjisë, përmes Ngushticës së Hormuzit kalojnë mesatarisht 8 deri në 9 milionë fuçi nafte në ditë, duke e bërë çdo ndërprerje të trafikut një kërcënim serioz për tregjet globale të energjisë.
Ndërkohë, kompanitë e naftës, me ndihmën e Marinës amerikane, po përdorin edhe mënyra alternative transporti, përfshirë cisterna që çaktivizojnë transponderët gjatë kalimit përmes ngushticës.






















