Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar kritikat ndaj Kanadasë, duke e akuzuar Otavën për vendosjen e tarifave të larta ndaj produkteve amerikane dhe duke përsëritur kritikat për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Kanadaja dëshiron përfitimet e të qenit një shtet, pa qenë i tillë”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
Presidenti amerikan akuzoi gjithashtu Kanadanë se për vite me radhë ka vendosur tarifa të larta ndaj produkteve bujqësore amerikane. “Ata gjithashtu u kanë ngarkuar fermerëve tanë të shkëlqyer, për shumë vite, shuma të mëdha tarifash. Jo më”, shkroi Trump.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur mosmarrëveshjet tregtare mes Washingtonit dhe Otavës vijojnë të tensionojnë marrëdhëniet dypalëshe.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka akuzuar më herët administratën amerikane se po përdor tarifat e reja për të “dëmtuar dhe përçarë” Kanadanë. Ai i ka cilësuar masat si “një llogaritje të gabuar” dhe ka paralajmëruar vendosjen e masave hakmarrëse në të njëjtën vlerë, duke nisur nga 8 shtatori.
Carney bëri të ditur gjithashtu se Kanadaja ka pezulluar negociatat tregtare me Washingtonin, pasi SHBA-ja kishte paraqitur kërkesa që Otava nuk mund t’i pranonte.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i SHBA-së për Tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi se Kanadaja ishte tërhequr nga një marrëveshje pothuajse e përfunduar, e cila do të kishte ulur më tej tarifat për eksportet kanadeze në tregun amerikan.






















