Bota 23 August 2026, 16:40 Nga VNA

Një plumb i ndau 10 vjet më parë, tani Eisenkot kërcënon fronin e Netanyahut

Ndaje në Whatsapp
Një plumb i ndau 10 vjet më parë, tani Eisenkot

Një palestinez i plagosur, i shtrirë në tokë në Hebron, një ushtar izraelit 19-vjeçar dhe një plumb në kokë. Ishte marsi i vitit 2016 dhe ngjarja që do të trondiste Izraelin do të nxirrte në pah edhe një ndarje që, dhjetë vjet më vonë, ka marrë përmasa krejt të tjera politike: atë mes Gadi Eisenkot dhe Benjamin Netanyahut.

Më 24 mars 2016, dy palestinezë të armatosur me thika sulmuan një ushtar izraelit në Hebron, në Bregun Perëndimor. Ushtarët izraelitë hapën zjarr, duke vrarë njërin prej sulmuesve dhe duke plagosur rëndë tjetrin, Abdel Fattah al-Sharif.

Pak minuta më vonë, ndërsa al-Sharif ndodhej i plagosur në tokë, ushtari izraelit Elor Azaria e qëlloi në kokë. Ngjarja u filmua dhe pamjet shkaktuan një debat të jashtëzakonshëm në Izrael. Azaria argumentoi se kishte menduar se palestinezi përbënte ende kërcënim, por gjykata ushtarake e shpalli atë fajtor për vrasje nga pakujdesia. 

Në atë kohë, në krye të ushtrisë izraelite ishte Gadi Eisenkot.

Eisenkot mbrojti parimin se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit duhet të vepronin sipas rregullave dhe kodit etik të ushtrisë. Ai nuk pranoi kërkesën për faljen e Azarias, megjithëse më vonë ia uli dënimin nga 18 në 14 muaj. 

Benjamin Netanyahu zgjodhi anën tjetër të debatit. Pas dënimit të ushtarit, kryeministri mbështeti publikisht faljen e Azarias dhe deklaroi se do t’ua përcillte rekomandimin e tij autoriteteve përkatëse. 

Rasti Azaria u kthye kështu në shumë më tepër sesa një proces gjyqësor. Ai ekspozoi një përplasje mbi kufijtë e forcës ushtarake, sundimin e ligjit dhe mënyrën se si Izraeli duhet t’i trajtonte ushtarët e tij në konfliktin me palestinezët.

Dhjetë vjet më vonë, dy njerëzit që u gjendën në anë të ndryshme të asaj përplasjeje janë përballë njëri-tjetrit në një betejë shumë më të madhe.

Izraeli shkon në zgjedhje parlamentare më 27 tetor 2026 dhe Gadi Eisenkot, tashmë lider i partisë së qendrës Yashar!, është shndërruar në një prej rivalëve kryesorë të Netanyahut. 

Rritja e tij në sondazhe ka qenë e fortë. Në qershor, një sondazh e nxirrte Yashar! baraz me Likudin me nga 23 mandate. Në korrik, sondazhe të tjera nisën ta vendosnin Eisenkotin përpara ose shumë pranë Netanyahut. 

Dhe këtë javë erdhi një rezultat edhe më domethënës. Sondazhi i Kantar Israel për transmetuesin publik Kan e nxori Yashar! forcën e parë politike me 24 mandate, ndërsa Likudin e Netanyahut me 23. 

Megjithatë, tabloja është më e ndërlikuar sesa një sondazh i vetëm. Mesatarja e 14 sondazheve të zhvilluara nga 1 deri më 16 gusht e vendoste Likudin në 24.7 mandate dhe Yashar! në 22.9. Pra gara është jashtëzakonisht e ngushtë dhe nuk mund të thuhet ende se Eisenkot e ka kaluar përfundimisht Netanyahun. 

Ajo që tashmë mund të thuhet është se ish-shefi i ushtrisë është kthyer në një kërcënim real elektoral për kryeministrin.

Në sfond qëndron 7 tetori 2023, lufta në Gaza dhe debati i madh brenda shoqërisë izraelite mbi përgjegjësinë politike dhe ushtarake për dështimet që paraprinë sulmin e Hamasit. Mbështetja për Likudin ka rënë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe koalicioni aktual i Netanyahut, sipas sondazheve, vazhdon të ketë vështirësi për të arritur shumicën prej 61 mandatesh. 

Historia ka kështu një simetri të pazakontë.

Në vitin 2016, Eisenkot dhe Netanyahu u gjendën në dy anë të ndryshme të debatit për një ushtar që qëlloi një palestinez të plagosur në kokë. Netanyahu kërkonte faljen e ushtarit; Eisenkot refuzonte.

Dhjetë vjet më vonë, ish-gjenerali nuk po sfidon më vetëm një vendim të kryeministrit.

Po sfidon vetë Netanyahun për drejtimin e Izraelit.

Video

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme zonën pranë tunelit në Ujin e Ftohtë, në Vlorë. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe me pisha dhe bredha, ndërsa në afërsi ndodhen disa hotele dhe biznese. Forcat zjarrfikëse po vijojnë ndërhyrjen për vënien nën kontroll dhe shuarjen e zjarrit. Situata paraqitet e vështirë për shkak të bimësisë së dendur, terrenit të vështirë dhe rrezikut të përhapjes së flakëve.

Një robot humanoid kinez raportohet se ka përshkuar 100 metra për vetëm 9.39 sekonda, më shpejt se rekordi botëror prej 9.58 sekondash i Usain Bolt, i vendosur në vitin 2009. Megjithatë, rezultati i robotit nuk konsiderohet rekord botëror në atletikë, pasi testi nuk është zhvilluar në kushtet e një gare zyrtare.

Një operacion shpëtimi është zhvilluar në Aladağlar, në provincën Niğde të Turqisë, ku një alpinist britanik 26-vjeçar mbeti i bllokuar në një zonë të thepisur shkëmbore. Sipas mediave turke, Daniel Tohomas Martin u rrëzua gjatë ngjitjes në zonën Lahit Kaya dhe theu krahun. Terreni i vështirë e bëri të pamundur ndërhyrjen nga toka, ndaj u kërkua ndihma e Forcave Ajrore turke. Një helikopter ushtarak u nis nga Konya dhe arriti të evakuonte britanikun nga shkëmbinjtë, përpara se ai të transportohej për ndihmë mjekësore.

Një stuhi e fuqishme goditi aeroportin e Forlìt në Itali, duke shkaktuar situatë të rrezikshme në pistë. Erërat e forta ngritën nga toka tre avionë të vegjël dhe i spostuar disa metra. Ndërkohë, një avion tjetër u devijua nga drejtimi gjatë uljes për shkak të erës së fuqishme. Për arsye sigurie, aeroporti u mbyll për rreth një orë, derisa stuhia u qetësua. Moti i keq përfshiu edhe qytetin e Forlìt, ku reshjet e dendura të shiut përmbytën disa rrugë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme