Detaje të reja janë bërë publike lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Nea Smyrni të Athinës, ku një grua 45-vjeçare u vra me armë zjarri nga një 48-vjeçar, i cili më pas dyshohet se i dha fund jetës.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, viktima dhe autori kishin pasur një marrëdhënie në të kaluarën. Marrëdhënia mes tyre raportohet se kishte qenë e tensionuar, ndërsa në vitin 2024 gruaja kishte paraqitur një kallëzim ndaj 48-vjeçarit në Stacionin e Policisë së Akropolit për përvetësim prone. Ajo pretendonte se burri i kishte marrë një motoçikletë.
Megjithatë, nga verifikimet e kryera deri më tani nga autoritetet greke, nuk rezulton të ketë pasur raste të regjistruara të dhunës në familje mes tyre.
Kamerat zbardhën dinamikën e ngjarjes
Dy trupat e pajetë u gjetën në një pellg gjaku në rrugën Grigoriou Kydonias nr. 3. Dinamika e ngjarjes u rindërtua nga autoritetet përmes pamjeve të kamerave të sigurisë së ndërtesës.
Sipas pamjeve, 48-vjeçari kishte mbërritur me automjet dhe po priste gruan pranë hyrjes së pallatit. Kur 45-vjeçarja u shfaq, mes tyre nisi një debat i ashpër.
Më pas, burri dyshohet se qëlloi disa herë me armë në drejtim të saj, duke e goditur në kokë dhe në trup. Pas vrasjes, ai e drejtoi armën ndaj vetes dhe u vetëqëllua.
Viktima është identifikuar si Julieta Obzova, me origjinë shqiptare, e lindur në vitin 1981 dhe mbajtëse e një karte identiteti greke. Sipas raportimeve, ajo nuk banonte në ndërtesën ku ndodhi ngjarja, por kishte shkuar atje pasi vajza e saj jetonte në atë pallat.
Edhe 48-vjeçari, i identifikuar si Altin Allmuça, me origjinë shqiptare, jetonte në Kallithea.
48-vjeçari kishte pozuar me armë në rrjetet sociale
Në vendngjarje, policia gjeti nën trupin e 48-vjeçarit një revolver, i cili dyshohet se është arma e përdorur në krim. Fakti që bëhet fjalë për revolver shpjegon edhe mungesën e gëzhojave në vendin ku ndodhi ngjarja.
Autoritetet kanë konstatuar gjithashtu se 48-vjeçari kishte publikuar në llogaritë e tij në rrjetet sociale fotografi ku shfaqej duke pozuar me armë. Këto postime janë tashmë pjesë e materialit që po shqyrtohet nga oficerët e policisë në kuadër të hetimeve.
Të shtënat u dëgjuan pak pas orës 05:30 të mëngjesit, duke alarmuar banorët e zonës. Forca të shumta policie dhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Hetimin e ka marrë përsipër Departamenti i Vrasjeve, ndërsa autoritetet presin edhe raportin e mjekësisë ligjore, i cili pritet të përcaktojë, ndër të tjera, numrin e saktë të plumbave që kanë goditur 45-vjeçaren.
Hetimet për rrethanat dhe motivet e plota të ngjarjes vijojnë.






















