Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të diele në Dukagjin të Shkodrës, ku dy persona, babë e bir, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20, në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult.
Viktimat janë Lekë Gjoni dhe Prel Gjoni, babë e bir, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur shtetasi L.B.
Forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt vendngjarjes.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.
Rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende të paqarta.






















