Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar mëngjesin e së premtes aksionin e tyre para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar që Albin Kurti të mos ushtrojë më funksionin e kryeministrit në detyrë dhe të rikthehet në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.
Deputetët e PDK-së janë afruar te hyrja e Qeverisë, ku janë përballur me dyert e mbyllura nga sigurimi, ndërsa kanë pyetur nëse Kurti kishte mbërritur në zyrë.
Deputeti Arben Mustafa e cilësoi Kurtin “uzurpator”, duke argumentuar se ai nuk mund të ushtrojë njëkohësisht mandatin e deputetit dhe funksionin e kryeministrit në detyrë.
“Deputetët e kanë vendin në Kuvend dhe aty duhet të jetë edhe deputeti Kurti për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, krijimit të institucioneve dhe kthimit të vendit në normalitet”, deklaroi Mustafa.
Sipas tij, PDK do ta vazhdojë aksionin derisa të zhbllokohet procesi i konstituimit të Kuvendit. Mustafa akuzoi Kurtin se po e mban vendin në një situatë institucionale të papranueshme dhe tha se “shteti nuk mund të mbetet peng i asnjë politikani”.
PDK kishte zhvilluar aksione edhe më herët për të njëjtën çështje, ndërsa përplasja lidhet me ngërçin e vazhdueshëm për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.






















