Rajoni 10 August 2026, 11:02 Nga VNA

Reagimi i Kosovës ndaj Zelenskyt bën jehonë në Ukrainë, mediat kryesore raportojnë largimin e banerit “Free Ukraine”

Ndaje në Whatsapp
Reagimi i Kosovës ndaj Zelenskyt bën jehonë në Ukrainë,

Reagimi në Kosovë pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd ka marrë vëmendje të gjerë në mediat ukrainase. Largimi i banerit “Free Ukraine” nga qendra e Prishtinës është raportuar nga disa prej mediave më të njohura të vendit, mes tyre The Kyiv Independent, Ukrainska Pravda, European Pravda, Hromadske, The New Voice of Ukraine dhe Babel.

Sipas Telegrafit, mediat ukrainase e kanë lidhur reagimin në Prishtinë me vizitën e Zelenskyt në Serbi, gjatë së cilës presidenti ukrainas rikonfirmoi se Kievi nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Beograd, Zelensky u pyet nëse Serbia mund të vazhdonte të llogariste në qëndrimin e Ukrainës kundër njohjes së Kosovës. Ai deklaroi se politika e Kievit nuk kishte ndryshuar, duke iu referuar respektimit të integritetit territorial dhe së drejtës ndërkombëtare.

Deklarata shkaktoi reagime në Kosovë, një vend që ka mbështetur Ukrainën që prej fillimit të agresionit rus.

Një nga reagimet më të dukshme erdhi nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Nga një ndërtesë në qendër të kryeqytetit u hoq baneri i madh me mbishkrimin “Free Ukraine”, i cili ishte vendosur në shenjë solidariteti me popullin ukrainas.

“Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti Prishtina përgjigjet”, deklaroi Rama, duke theksuar se “shteti i Kosovës duhet të respektohet”.

Ai sqaroi njëkohësisht se Prishtina do të vazhdojë solidaritetin me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe përndjekje, por nënvizoi se respekti duhet të jetë i ndërsjellë.

The Kyiv Independent e vendosi zhvillimin nën mesazhin “Kosova duhet të respektohet”, duke theksuar se vizita e parë zyrtare e Zelenskyt në Serbi solli reagime në Kosovë për shkak të qëndrimit të pandryshuar të Ukrainës ndaj pavarësisë së saj.

The New Voice of Ukraine vuri në dukje se baneri “Free Ukraine” kishte qëndruar në qendër të Prishtinës që prej fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Ndërsa Hromadske u përqendrua te deklarata e Ramës se asnjë kauzë apo politikë nuk mund të ndërtohet duke cenuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj.

Media ukrainase kujtoi gjithashtu se në gusht të vitit 2022 në Verkhovna Rada ishte paraqitur një projekt-rezolutë për njohjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, e cila nuk është shqyrtuar nga parlamenti ukrainas.

Babel, nga ana tjetër, e vendosi zhvillimin edhe në kontekstin e mbështetjes që Kosova i ka dhënë Ukrainës gjatë luftës.

Për ngjarjen kanë raportuar gjithashtu TSN, 24 Kanal dhe Espreso. 24 Kanal e cilësoi largimin e banerit si një “hap demonstrativ në Prishtinë” pas vizitës së Zelenskyt në Serbi, ndërsa Espreso evidentoi mesazhin e Prishtinës për respektimin e shtetësisë së Kosovës.

Në mediat ukrainase ka gjetur hapësirë edhe reagimi i ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili e cilësoi deklaratën e Zelenskyt “thellësisht zhgënjyese”, duke rikujtuar solidaritetin e treguar nga Kosova ndaj Ukrainës.

Jehona e gjerë në mediat ukrainase tregon se reagimi nga Prishtina pas deklaratës së Zelenskyt nuk ka kaluar pa u vërejtur, duke rikthyer njëkohësisht në vëmendje marrëdhëniet Kosovë-Ukrainë dhe faktin se Kievi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Video

Pas deklaratës së Zelenskit në Beograd, protestuesit në ditën e 71 kaluan para ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës me thirrjet “UÇK” Arsyeja ka lidhje me deklaratën e djeshme të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, ku ai konfirmoi se Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ndaj protestuesit kanë marshuar para ambasadave të Serbisë dhe Ukrainës. Gjatë kalimit pranë selive diplomatike, ata kanë brohoritur “UÇK”, duke e kthyer protestën në një reagim të drejtpërdrejtë ndaj qëndrimit të Kievit, i cili në Tiranë dhe Prishtinë u prit me pakënaqësi .

Një avion Boeing 757 i kompanisë Delta Air Lines, me 199 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi në bord, u evakuua në aeroportin ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës, pasi tymi u fut në kabinën e pilotëve pak pas ngritjes. Ekuipazhi ndoqi procedurat e emergjencës dhe vendosi të rikthehej në aeroport. Pas uljes, pasagjerët u evakuuan përmes rrëshqitëseve të emergjencës në një rrugë lidhëse të aeroportit.

Një peshk i madh është filmuar duke ndjekur nga afër një pushues në plazhin e Marbellës, në Spanjë. Pamjet tregojnë momentin kur peshku i afrohet pushuesit, duke shkaktuar habi dhe kuriozitet te personat që ndodheshin pranë bregut.

Një avion Boeing 757 i kompanisë Delta Air Lines, me 199 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi në bord, u evakuua në aeroportin ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës, pasi tymi u fut në kabinën e pilotëve pak pas ngritjes. Ekuipazhi ndoqi procedurat e emergjencës dhe vendosi të rikthehej në aeroport. Pas uljes, pasagjerët u evakuuan përmes rrëshqitëseve të emergjencës në një rrugë lidhëse të aeroportit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme