Rajoni 7 August 2026, 19:41 Nga VNA

Në prag të mbarimit të afatit kushtetues, analiza e REL: Çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri në mesnatë?  

Ndaje në Whatsapp
Në prag të mbarimit të afatit kushtetues, analiza e REL:

Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës kanë vetëm edhe disa orë deri në përfundimin, të premten në mesnatë, të afatit 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për përfundimin e seancës konstituive të organit ligjvënës. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka vendosur që vazhdimi i saj të mbahet të shtunën, më 8 gusht, në orën 11:00 – pra, pas përfundimit të afatit kushtetues.

Seanca konstituive mbeti në gjysmë të enjten, kur Dehari e shtyu atë për kohë të papërcaktuar pas kërkesës së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime rreth një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja.

Njoftimi për vazhdimin e seancës të shtunën erdhi pak orë pasi Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, zhvilluan një tjetër takim pa arritur marrëveshje politike.

Eugen Cakolli dhe Naim Jakaj, njohës të çështjeve juridike, ndajnë mendimin se mosrespektimi i afatit përbën shkelje kushtetuese, por japin interpretime të ndryshme për hapat që duhet ose mund të pasojnë.

Cakolli: Seanca nuk mund të vazhdojë pas afatit

Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues do ta fuste Kosovën në një situatë të shkeljes së rëndë kushtetuese, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ai argumenton se afati i 7 gushtit është absolut, dhe se nuk mund të tejkalohet, pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës nuk specifikon se cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të tij.

“Më shumë sesa zbrazëti kushtetuese, mungesa e këtij, le të themi, sanksioni, unë besoj që është fakti që nuk është supozuar kur është shkruar Kushtetuta që mund të arrijmë pikën ku Kuvendi nuk e konstituon as veten”, thotë Cakolli.

 
Me arsyetimin se duhet kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 6 gusht kërkoi që seanca konstituive të shtyhej, dhe nuk dha emër për kryeparlamentar, duke e ndërprerë procesin e konstituimit të organit ligjvënës.

Por, nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në mesnatë, Cakolli vlerëson se nuk do të ketë më bazë kushtetuese që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj.

 
“Unë besoj që është e qartë që deputetët, pas mesnatës së sotme, nuk kanë të drejtë të mblidhen as me vetiniciativë, e lëre më që t’i thërrasë zoti Dehari, në këtë rast, si kryesues i seancës, për shkak të moshës së tij”, thotë Cakolli.

Për të, pasojat e ngërçit nuk kufizohen vetëm te Kuvendi.

 
Ai argumenton se, pas betimit si deputetë, ministrat dhe zëvendësministrat deri tani në detyrë nuk mund të vazhdojnë njëkohësisht ushtrimin e funksioneve ekzekutive.

Për këtë arsye, ai e konsideron Qeverinë në detyrë të Kosovës “pa legalitet dhe pa legjitimitet”, duke paralajmëruar se vendimet e saj mund të jenë objekt kontestimi në gjykata.

Sipas Cakollit, zgjidhja e parë juridike, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, do të ishte inicimi i një rasti në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ai beson se, në aspektin politik, epilogu është pothuajse i pashmangshëm.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme, thjesht mbetet të gjendet rruga drejt tyre”, thotë ai.

Ai shton se vendi tashmë ka humbur kohë me krizat institucionale, dhe se një proces i ri zgjedhor do të ishte skenari më i pafavorshëm, por nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet, ai nuk sheh një rrugë tjetër kushtetuese për dalje nga ngërçi.

Jakaj: Moskonstituimi e fut Kosovën në një situatë të paprovuar kushtetuese

Ndonëse pajtohet se mosrespektimi i afatit për konstituimin e Kuvendit përbën shkelje kushtetuese, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka një interpretim tjetër për hapat që duhet të ndërmerren pas mesnatës së 7 gushtit.

Jakaj thotë se, meqë nuk është përcaktuar ndonjë sanksion konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati, vazhdimi i seancës konstituive edhe pas 7 gushtit është juridikisht i mundshëm.

“Normalisht, që edhe nëse kalon afati i sotëm, ai [kryesuesi Dehari] duhet ta thërrasë seancën konstitutive. Fatkeqësisht, nuk ka pasojë juridike. Sikur të kishte, do të vepronte në mënyrë të detyrueshme”.

Edhe mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ai e sheh me rezervë.

Sipas Jakajt, një rast i ri nuk do të zgjidhte domosdoshmërisht krizën politike, pasi Kushtetuesja nuk ka çfarë të thotë tjetër përveç asaj që “deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të obliguar që të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe që [Kuvendi] është dashur të konstituohet brenda 30 ditëve”.

Megjithatë, edhe Jakaj paralajmëron pasoja serioze nëse bllokada vazhdon.

Ai e lidh ngërçin aktual me afatin për zgjedhjen e presidentit, duke kujtuar se ushtrimi i detyrës së presidentit nuk mund të zgjasë më tepër se 6 muaj, përkatësisht deri në fillim të tetorit.

Kryetarja e legjislaturës së 10-të, Albulena Haxhiu, e betuar më 6 gusht si deputete e legjislaturës së 11-të, është ushtruese e detyrës së Presidentes që nga prilli 2026, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit të Kosovës.

“Ne do të hyjmë në një situatë të cilën nuk e kemi shkelur asnjëherë… kjo do të prodhojë pasoja të cilat ne nuk i kemi parë më herët, dhe të cilat në rendin demokratik lirisht mund të quhen rrënim i demokracisë”, thotë Jakaj.

Sipas tij, nëse deri në përfundimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit nuk zgjidhen institucionet e reja, Kosova mund të mbetet pa autoritetin që do të mund të shpallte zgjedhjet ose t’ia besonte mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit për kryeministër.

Për këtë arsye, ai vlerëson se partitë politike duhet të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që vendi të shmangte, siç e quan ai, një “anarki institucionale”.

Përveç Cakollit dhe Jakajt, edhe pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë kanë bërë thirrje që konstituimi i Kuvendit të përmbyllet brenda afatit kushtetues.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në një reagim publik, tha “se interesat partiake kanë tejkaluar interesin publik duke bllokuar funksionimin e institucioneve dhe duke dëmtuar besimin e qytetarëve”.

“Sot nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme. Ekziston vetëm një detyrim i qartë, konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional”, tha GLPS në reagimin e tij./rel

Video

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv me ullishte në fshatin Grizë, pranë Borizanës, duke shkaktuar edhe djegien e një banese. Flakët janë përhapur me shpejtësi që prej mesditës, ndërsa në vendngjarje janë angazhuar tre mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Pamje të regjistruara nga një kamerë në makinë tregojnë momentin kur një efektiv policie ndjek një të dyshuar në një parking shumëkatësh të një qendre tregtare. Sipas policisë, drejtuesi i një automjeti tip Mercedes braktisi makinën dhe u largua në këmbë, pasi efektivët e kishin konstatuar duke drejtuar me shpejtësi të lartë dhe në mënyrë të rrezikshme. Pas largimit të tij, një pasagjere femër dyshohet se mori drejtimin e automjetit dhe vijoi lëvizjen, derisa policia e ndaloi makinën duke përdorur një pajisje për shfryrjen e gomave.

Një i ri me origjinë afrikane ka humbur jetën në Ceuta, pasi tentoi të hynte ilegalisht në enklavën spanjolle nga Maroku duke përdorur parashutë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, kur i riu ra në det. Ekipet e shpëtimit e nxorën nga uji dhe tentuan ta rikthenin në jetë, por pa sukses. Sipas autoriteteve spanjolle, kjo metodë është përdorur nga disa migrantë që prej tetorit 2025, ndërsa dhjetëra persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin drejt Ceutës.

Administrata amerikane ka publikuar grupin e pestë të dosjeve të deklasifikuara mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), duke përfshirë raporte, fotografi dhe video nga raste të pazakonta të raportuara ndër vite. Mes dëshmive të publikuara janë raportime për objekte të mëdha trekëndore që lëviznin pa zhurmë, sfera metalike dhe fenomene të vëzhguara nga pilotë ushtarakë e dëshmitarë civilë. Një prej rasteve më kurioze lidhet me një pilot që pretendon se në vitin 2002 pa mbi bazën ajrore Bagram në Afganistan një objekt trekëndor rreth 152 metra të gjerë, i cili lëvizte në heshtje dhe dukej se mbulonte yjet gjatë kalimit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme