Arsenali ka zhvendosur fokusin drejt një objektivi të ri në merkaton e verës, pasi transferimi i Vinicius Juniorit nuk do të realizohet. Sulmuesi brazilian ka rinovuar kontratën me Real Madridin, duke i dhënë fund spekulimeve për një kalim të mundshëm në Londër.
Sipas mediave të huaja, trajneri Mikel Arteta dhe drejtori sportiv Andrea Berta kanë identifikuar tashmë alternativën ideale për repartin ofensiv. Bëhet fjalë për talentin e Interit, Pio Esposito, për të cilin Arsenali ka dërguar skaut në Perth të Australisë për ta ndjekur nga afër gjatë fazës përgatitore.
21-vjeçari italian ka tërhequr vëmendjen edhe të Manchester Unitedit, ndërsa konsiderohet si një nga sulmuesit më premtues në futbollin italian. Me gjatësi rreth 1.91 metra, Esposito vlerësohet për forcën fizike, lojën në ajër dhe kontributin e tij pa top, karakteristika që përputhen me profilin e kërkuar nga Arteta.
Interi nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga sulmuesi dhe e konsideron atë një lojtar kyç për të ardhmen. Megjithatë, sipas raportimeve, një ofertë në vlerën e rreth 84 milionë eurove mund t'i bëjë drejtuesit zikaltër të rishqyrtojnë situatën.
Nga ana e tij, Esposito nuk pritet të kërkojë largimin dhe është i gatshëm të rinovojë kontratën me Interin gjatë kësaj vere, edhe pse një kalim në Ligën Premier mbetet një mundësi që e tërheq për të ardhmen.
Sulmuesi italian zhvilloi një sezon pozitiv, duke shënuar 11 gola në 50 ndeshje dhe duke konfirmuar statusin e tij si një prej talenteve më premtues të futbollit italian.






















