Banorët e Mirakës në Librazhd kanë protestuar këtë të hënë kundër mënyrës së organizimit të punimeve për zgjerimin e Koridorit VIII, duke kërkuar garantimin e aksesit në fshat dhe rikthimin e transportit publik.
Sipas banorëve, ndërhyrjet infrastrukturore kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen drejt Mirakës, ndërsa problematika prek edhe disa fshatra të tjerë të zonës. Ata pretendojnë se 7 fshatra të Bashkisë Librazhd dhe 2 fshatra të Bashkisë Elbasan kanë mbetur me akses vetëm në drejtimin Elbasan–Librazhd, ndërsa lëvizja në kahun e kundërt është bllokuar.
Situata, sipas protestuesve, është rënduar edhe më tej pas ndërprerjes së linjave të transportit ndërqytetas. Banorët thonë se mungesa e transportit publik po krijon vështirësi të mëdha, veçanërisht për personat që nuk disponojnë automjete private.
“Për ne kjo është një situatë e papërballueshme. Jo të gjithë kanë automjete dhe transporti publik është i domosdoshëm për banorët e fshatrave”, shprehen banorët.
Ata kërkojnë një zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme, duke argumentuar se punimet për një projekt të rëndësishëm infrastrukturor nuk duhet të sjellin izolimin e komuniteteve që jetojnë përgjatë aksit rrugor.
ARRSH: Do të shqyrtojmë një zgjidhje teknike
Pas shqetësimeve të ngritura nga banorët, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) është shprehur se do të shqyrtojë mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje teknike për problemin e aksesit.
Sipas ARRSH-së, zgjidhja do të vlerësohet duke marrë në konsideratë kushtet e terrenit dhe parametrat e sigurisë rrugore.
Banorët, megjithatë, kërkojnë që kjo çështje të mos mbetet vetëm në fazën e shqyrtimit teknik, por të pasohet sa më shpejt nga një ndërhyrje konkrete që garanton lëvizjen e tyre dhe rikthen mundësinë e transportit për komunitetin.
Punimet për zgjerimin dhe ndërtimin e segmentit të Koridorit VIII vijojnë në zonë, duke sjellë ndryshime në mënyrën e qarkullimit.
Për banorët e Mirakës dhe fshatrave përreth, zhvillimi i Koridorit VIII është një projekt i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjes së zonës me akset kryesore rrugore. Por ata kërkojnë që ky zhvillim të mos shoqërohet me kufizimin e aksesit dhe izolimin e komuniteteve përgjatë rrugës.






















