Pas rreth një viti protestash, banorët e lagjes “Epidamn” në Durrës, banesat dhe bizneset e të cilëve rrezikojnë të shemben në kuadër të projektit “TID Durrës”, kanë shënuar fitoren e parë.
Kryeministri Edi Rama ka firmosur më 30 korrik shfuqizimin e Planit të Detyruar Vendor Durrës, nr. 5, duke ngarkuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me zbatimin e vendimit.
Sipas arkitektes dhe njëkohësisht banores së lagjes, Entela Koja, shfuqizimi i vendimit ndalon prishjen e disa objekteve që projekti “TID” i kishte parashikuar për shembje. Për rrjedhojë, sipas saj, ndryshojnë kushtet mbi të cilat është hartuar projekti dhe “TID Durrës” duhet të rishikohet.
Koja kërkon transparencë për objektet që nuk klasifikohen më si prona për prishje dhe shpronësim, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e projektit në formën aktuale.
Sipas saj, rreth 20 nga 74 shtëpi dhe prona të parashikuara fillimisht për prishje dhe shpronësim nuk klasifikohen më si të tilla pas vendimit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.






















