
Banorët e Fushë-Arrëzit kanë protestuar sërish kundër hartës së re territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe bashkimin e saj me Bashkinë Pukë.
Protestës iu bashkuan bashkëkryetari opozitar i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, deputeti Gjin Gjoni, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, si dhe kryebashkiakët e Mirditës dhe Pukës, Albert Mëlyshi dhe Rrok Dodaj.
Kryebashkiaku Curri deklaroi se banorët nuk do ta pranojnë shkrirjen e bashkisë, ndërsa kritikoi mungesën e dëgjesave publike.
“U bëj thirrje deputetëve që të mos e marrin nëpër këmbë dinjitetin e Bashkisë Fushë-Arrëz. Nuk do të shkrihet. Do ta mbrojmë me çdo çmim. Nuk është bërë asnjë dëgjesë publike në Fushë-Arrëz”, tha Curri.
Edhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, kundërshtoi draftin, duke argumentuar se bashkimi do të krijonte vështirësi për qytetarët në marrjen e shërbimeve. Ndërsa kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj, tha se drafti do të kundërshtohet nga këshilltarët e Bashkisë Pukë.
Në protestë mori pjesë edhe ish-kandidati i PS-së për deputet në këtë zonë, Pavlin Luli, i cili e cilësoi reformën si “politike dhe elektorale” dhe kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama.
Banorët kërkuan respekt për historinë dhe identitetin e Fushë-Arrëzit, ndërsa ngritën shqetësimin për distancat që do të duhet të përshkojnë për të marrë shërbime në Pukë.
Në fund të protestës, banorët nisën mbledhjen e firmave për një peticion kundër draftit dhe paralajmëruan përshkallëzim të protestave.
Sipas draftit të ri administrativo-territorial, Fushë-Arrëzi, me rreth 4 878 banorë, parashikohet të bashkohet me Bashkinë Pukë, e cila numëron rreth 6 222 banorë.






















