
Krijimi i një shoqërie të re shtetërore që parashikohet të marrë nën administrim pothuajse të gjithë zinxhirin e furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore ka shkaktuar një përplasje në nivelet më të larta të kabinetit qeveritar. Në qendër të kësaj përplasjeje janë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ndërsa shkak është bërë vetë projektligji i ri, i cili i ndryshon rrënjësisht rregullat e lojës në sektorin e barnave.
Sipas draftit zyrtar të siguruar nga VNA, nisma synon themelimin e shoqërisë aksionare me kapital 100% shtetëror, ku autoriteti publik që përfaqëson shtetin si aksionar do të jetë Ministria e Shëndetësisë.
Qëllimi kryesor i këtij ligji është centralizimi i plotë i proceseve të planifikimit, prokurimit, importit, magazinimit, transportit, shpërndarjes dhe gjurmueshmërisë së barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve mbështetëse për spitalet publike. Praktikisht, kjo strukturë e re do të funksionojë si e vetmja "blrerëse e madhe" për të gjithë sektorin publik.
Pra, në vend që çdo spital të bëjë tenderat e vet, kompania shtetërore do të mbyllë kontratat qendrore për blerjen e barnave me çmime më të favorshme. Gjithashtu, ajo do të ngrejë një sistem dixhital në kohë reale, i cili do të tregojë në çdo moment se sa ilaçe ka në magazinë, ku po transportohen ato dhe në cilin spital ka rrezik të krijohshme mungesa.
Përveç mbulimit të nevojave të sistemit spitalor publik, projektligji i hap rrugë kësaj shoqërie që të hyjë fuqishëm edhe në tregun privat dhe atë të prodhimit. Ajo merr të drejtën të zhvillojë vetë ose me partnerë kapacitete prodhuese vendase për barna dhe pajisje mjekësore, si dhe të krijojë shoqëri të reja tregtare apo të marrë pjesë në kapitalin e shoqërive private e publike, vendase ose të huaja.
Projektligji i lejon kompanisë që t'u ofrojë shërbime edhe spitaleve private kundrejt tarifave, të marrë pjesë në prokurime ndërkombëtare me shtete të tjera, si dhe të përdorë pronat e paluajtshme shtetërore, me miratim të Këshillit të Ministrave, për t'i dhënë me qira, në sipërmarrje, apo edhe t'i vendosë ato si garanci, kolateral e hipotekë për të siguruar financime.
Sa i përket financave, kompania e re do të marrë paratë e para nga buxheti i shtetit për t'u ngritur, ndërsa më pas do të mbahet vetë nga fitimet e saj dhe nga donacionet. Një pikë tjetër është se, nëse kjo shoqëri krijon borxhe apo humbje, ato nuk do të paguhen nga taksat e qytetarëve, por nga vetë kompania. Veç kësaj, ajo do të ketë për detyrë të krijojë një "rezervë emergjence" me barna, në mënyrë që spitalet të mos mbeten kurrë pa ilaçe në rast krizash shëndetësore.
Sa i përket drejtimit, kompania do të ketë një administrator dhe një bord mbikëqyrës prej 5 anëtarësh nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Financave dhe institucionet e barnave, ndërsa shteti do të ruajë të drejtën e vetos për çdo vendim madhor, si ndryshimi i kapitalit apo futja e partnerëve të rinj.
Përmbajtja e këtij drafti ka sjellë përplasje të drejtpërdrejta mes kreut të qeverisë dhe ministres së Shëndetësisë. Burime të VNA bëjnë me dije se ministrja Evis Sala ka shprehur rezerva të fortë ndaj kompetencave dhe formës aktuale të projektligjit, duke refuzuar ta firmosë atë. Megjithatë, qëndrimi i saj nuk i ka ndryshuar planet e kryeministrit Edi Rama, i cili mësohet t'i ketë lënë afat deri në muajin shtator për finalizimin e procesit, ndërsa në të kundërt largimi i saj nga detyra konsiderohet si një mundësi reale. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se pas kësaj strukture të re parashikohet të përfshihet një kompani izraelite, ndonëse deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar apo emër publik për këtë subjekt.






















