Bota 8 August 2026, 10:40 Nga VNA

“Tani ose kurrë”. A e ka seriozisht BE zgjerimin?

Ndaje në Whatsapp
“Tani ose kurrë”. A e ka seriozisht BE zgjerimin?

Henry Foy në Bruksel dhe Marton Dunai në Beograd

Për 13 vjet, klubi i shteteve të Bashkimit Europian nuk ka pranuar asnjë anëtar të ri. Tani, në një periudhë të karakterizuar nga paqëndrueshmëria gjeopolitike dhe konkurrenca mes fuqive të mëdha, po shtohet presioni që dyert e BE-së të hapen sërish.

Megjithatë, edhe pse Brukseli është i etur të projektojë një ndjenjë sigurie dhe synimi të përbashkët përballë provokimeve të Donald Trampit, ai vazhdon të përballet me pasiguri lidhur me zgjerimin e ardhshëm.

Ndërsa udhëheqësit e vendeve kandidate kërkojnë ecje më të shpejtë drejt anëtarësimit, nën presionin e qytetarëve gjithnjë e më të paduruar e të paqetë, krerët e qeverive të vendeve anëtare shqetësohen se struktura aktuale e BE-së, si edhe votuesit e tyre skeptikë, nuk janë të gatshëm të përballojnë pranimin e anëtarëve të rinj.

Shenjat ishin premtuese. Pas tronditjes së shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, zgjerimi i BE-së nisi të shihej jo vetëm si një projekt politik, por edhe si një politikë sigurie. Pas një dekade pothuajse të bllokuar, ecuria e anëtarësimit u përshpejtua, duke rritur shpresat se një vend i ri mund t'i bashkohej BE-së brenda pak vitesh.

Mali i Zi, i pari në radhë, ka përfunduar më shumë se gjysmën e reformave të nevojshme që kërohen për anëtarësim. Qeveritë e BE-së kanë filluar hartimin e legjislacionit formal për pranimin e tij dhe vendit i janë rezervuar miliarda euro në projektbuxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të BE-së.

Ukraina dhe Moldavia, të dyja nën kërcënimin e Moskës, kanë nisur negociatat formale të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka filluar të mbyllë kapitujt e parë të reformave të detyrueshme. "Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Europian," tha kryeministri shqiptar Edi Rama për “Financial Times”. "Shqipëria ndodhet në momentin më të mirë në shumë aspekte."

Më 18 qershor, presidenti i Këshillit Europian, António Kosta, presidenti i Ukrainës, Vladimir Zhelenski, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Lejen, morën pjesë në një samit në Bruksel. Shtetet anëtare të Bashkimit Europian dëshirojnë që Kievi dhe ushtria e tij e fuqishme të jenë pjesë e kampit të tyre.

Kaosi gjeopolitik "ka krijuar një moment presioni për të menduar seriozisht se çfarë përfaqëson Europa dhe për t'u bërë një ofertë të besueshme dhe të dobishme vendeve që aspirojnë anëtarësimin", thotë Ilir Deda, analist në Institutin për Shkencat Humane në Vjenë.

Në qershor, në përpjekje për të theksuar vullnetin e përbashkët të Bashkimit Europian për të pranuar anëtarë të rinj, presidentja e Komisionit Europian dhe presidenti i Këshillit Europian, që përfaqësojnë pushtetin ekzekutiv dhe politik të BE-së, e cilësuan zgjerimin si "një nga historitë më të mëdha të suksesit të Bashkimit Europian."

"Oferta e Bashkimit Europian për paqe, stabilitet dhe mundësi është e pakrahasueshme," deklaruan Ursula von der Lejen dhe António Kosta në një deklaratë të përbashkët. "Zgjerimi është një zgjedhje strategjike."

Megjithatë, vendet kandidate kanë filluar të dyshojnë nëse këto premtime të udhëheqësve të BE-së janë reale apo thjesht retorikë politike.

Brukseli po shqyrton ndryshime të mëdha në procesin e pranimit, të cilat do të lejonin një integrim më gradual të vendeve kandidate, ndërsa ato përbushin reformat. Brenda BE-së kjo shihet si një mënyrë më e përgjegjshme për zgjerim dhe ndërtim të besimit. Por në vendet kandidate shumë e shohin këtë si rrezikun e krijimit të një sistemi anëtarësimi me disa shtresa, i cili mund ta zgjasë edhe më shumë procesin.

Shumë vende candidate tashmë po shmangin reformat e vështira ose jopopullore, sepse nuk kanë më besim në premtimet e Brukselit se do t'i shpërblejë me hapa konkretë drejt anëtarësimit. Nga ana tjetër, Bruksesli vazhdon t'i kritikojë për mosmiratimin e ligjeve të nevojshme.

Përveç Malit të Zi dhe Shqipërisë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova – kanë bërë shumë pak përparim vitet e fundit, madje në disa raste kanë shënuar regres.

Disa zyrtarë europianë shqetësohen se ekziston një hendek i madh i dëmshëm mes retorikës optimiste prozgjerimit të Ursula von der Lejen dhe António Kostas dhe realitetit, pasi edhe Mali i Zi mbetet ende disa vite larg anëtarësimit të plotë.

Megjithatë, po forcohet bindja se BE-ja duhet të tregojë se është serioze në pranimin e anëtarëve të rinj. "Tani ose kurrë," thotë Ilir Deda. Dështimi për të vepruar do të kishte "pasoja katastrofike jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë Bashkimin Europian. Besueshmëria e BE-së do të dëmtohej si brenda, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ky skenar duhet shmangur me çdo kusht."

I ashtuquajtur zgjerimi Big Bang i vitit 2004, kur Bashkimit Europian iu bashkuan 10 vende të reja, mes tyre Polonia dhe Hungaria, shënoi transformimin e BE-së nga një bërthamë kryesisht e Europës Perëndimore që shihte së brendshmi, në një Bashkim të zgjeruar drejt lindjes pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, në dekadën që pasoi anëtarësimin e Kroacisë në vitin 2013, Bashkimi Europian nuk u zgjerua më. Përkundrazi, ai u tkurr me largimin e Mbretërisë së Bashkuar. Në vitin 2014, presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, deklaroi se Brukseli do të "bënte një pushim nga zgjerimi", në mënyrë që të përqendrohej në integrimin e anëtarëve të rinj.

Por kjo retorika ndryshoi me rritjen e Kinës si superfuqi, më pas me pushtimin rus të Ukrainës dhe rikthimin e Donald Trampit në pushtet, së bashku me qëndrimin e tij të paparashikueshëm ndaj Europës. Vendet e BE-së kuptuan se kishte rëndësi strategjike që vendet e ashtuquajtura "zona gri" të lidhen fort me Bashkimin Europian, nën flamurin e përbashkët blu me yje të verdhë.

Në këtë drejtim ka pasur zhvillime të prekshme. Që nga dhjetori 2024, vendet kandidate kanë mbyllur së bashku 18 kapituj të negociatave në procesin e përafrimit me legjislacionin europian. Për krahasim, gjatë dekadës së mëparshme ishin mbyllur vetëm katër kapituj.

Si bëhet një vend anëtar i Bashkimit Europian?

Për t'u bërë pjesë e BE-së, çdo vend duhet të harmonizojë legjislacionin e tij me standardet europiane në 33 kapituj. Negociatat hapen kur një vend fillon zyrtarisht procesin e reformave dhe kapitujt mbyllen vetëm pasi BE-ja konstaton se kriteret janë përmbushur. Kapitujt ndahen në gjashtë grupe kryesore:

Grupi 1 – Themeli, përfshin pesë kapituj, ndër të cilët: pavarësia e gjyqësorit; prokurimet publike; demokracia dhe shteti i së drejtës.

Grupi 2 – Tregu i brendshëm, përfshin nëntë kapituj, si: lëvizja e lirë e mallrave; lëvizja e kapitalit; lëvizja e forcës së punës; politika e konkurrencës; mbrojtja e konsumatorit.

Grupi 3 – Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, përfshin tetë kapituj, ndër ta: bashkimi doganor; politika tatimore; politika industriale.

Grupi 4 – Agjenda e gjelbër dhe qëndrueshmëria, përfshin katër kapituj, ndër ta: energjia; transporti.

Grupi 5 – Burimet, bujqësia dhe kohezioni, përfshin pesë kapituj, si: peshkimi; bujqësia; zhvillimi rajonal.

Grupi 6 – Marrëdhëniet me Jashtë, përfshin dy kapituj që mbulojnë: politikën e jashtme; politikën e sigurisë; regjimet e sanksioneve.

Mali i Zi ka përfunduar më shumë se gjysmën e 33 kapitujve. Ukraina dhe Moldavia hapën kapitujt e parë në qershor. Shqipëria ka filluar të mbyllë kapitujt e saj të parë.

Islanda, e cila aplikoi për anëtarësim në vitin 2009, por e tërhoqi kërkesën në vitin 2015, do të mbajë këtë muaj një referendum për të vendosur nëse duhet të rifillojë procesin. Edhe Norvegjia po shqyrton mundësinë e zhvillimit të një referendumi të tretë mbi aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Komisionerja europiane për zgjerimin, Marta Kos, thotë se dikur zgjerimi shihej kryesisht si një shkëmbim reciprok ekonomik, me vendet e reja që hapnin tregjet e tyre për kompanitë europiane, ndërsa BE-ja investonte miliarda euro për zhvillimin e tyre ekonomik. Sot zgjerimi ka marrë një dimension krejt tjetër. Ai lidhet drejtpërdrejt me sigurinë dhe mbrojtjen e Europës.

Për dekada me radhë, garancia kryesore e sigurisë për Europën ishte NATO. Megjithatë, qëndrimi shpesh i paqëndrueshëm i Donald Trampit ndaj aleancës ka bërë që shumë kryeqytete europiane të vënë në pikëpyetje besueshmërinë afatgjatë të partneritetit transatlantik. Edhe pse klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë e BE-së nuk është e barasvlershme me Nenin 5 të NATO-s, Bashkimi Europian po përpiqet gjithnjë e më shumë të shndërrohet në një strukturë që koordinon politikat e sigurisë së kontinentit. Vendet kandidate – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Turqia – janë tashmë anëtare të NATO-s.

Marta Kos shprehet: "Zgjerimi nuk është më vetëm që vendet kandidate të arrijnë nivelin tonë. Sot ai është edhe një politikë sigurie. Ka të bëjë me mënyrën se si ne europianët mund të punojmë së bashku në realitetin e ri botëror."

"Zgjerimi ka të bëjë me rindërtimin e arkitekturës politike dhe të sigurisë së Europës, për ta bërë kontinentin të aftë të konkurrojë me fuqitë e tjera të mëdha globale," shtoi ajo.

Askund nuk është më i dukshëm ndryshimi i qasjes së Bashkimit Europian sesa në Ukrainë. Forcat e armatosura ukrainase janë ndër më të mëdhatë, më të pajisurat dhe më me përvojë luftarake në Europë. Shtetet anëtare të BE-së duan që Kievi dhe ushtria e tij e fuqishme të jenë pjesë e familjes europiane, e jo të mbeten të izoluara në periferi.

Megjithatë, kjo sjell edhe sfida të mëdha. Zyrtarët europianë pranojnë se, për shkak të problemeve serioze me korrupsionin, pavarësinë e gjyqësorit dhe standardet e tjera themelore të BE-së, Ukraina nuk do të kishte marrë statusin e vendit kandidat nëse Rusia nuk do ta kishte pushtuar.

Kjo kontradiktë, si dhe kërkesa e Kievit për hyrje të “përshpejtuar” vitin e ardhshëm, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë, e kanë detyruar Brukselin të mendojë seriozisht nëse mund të jetë e nevojshme një qasje e re ndaj zgjerimit për t’iu përgjigjur realiteteve të reja politike.

Objektivi i deklaruar për anëtarësimin më 1 janar 2027 ishte një “thirrje për ndihmë”, thotë një zyrtar i lartë i BE-së i përfshirë në negociatat me Kievin. “([Presidenti Vladimir] Zhelenski e dinte se kjo ishte e pamundur. Por ai kishte nevojë të dërgonte një sinjal të qartë për ne, por edhe për ukrainasit, se vazhdimi i mënyrës së zakonshme të procesit të anëtarësimit nuk do të ishte i mjaftueshëm.”

Një diplomat i lartë i BE-së thotë se Ukraina paraqet një dilemë komplekse. “Nuk mund të sjellësh në BE një vend me 40 milionë banorë që renditet i 104-ti në listën globale të korrupsionit. Kjo do të ishte tallje për të gjithë projektin,” thotë personi. “Por gjithashtu nuk mund t’i lësh ata të presin pa fund. Të gjithë mund ta shohin se Ukraina do të ketë nevojë për diçka nga ne që ta bëjë më të lehtë për t’u përballuar [pritjen e gjatë deri në anëtarësimin e plotë].”

Për njerëzit në Ballkanin Perëndimor, vazhdimi i gjërave si më parë nuk është më i mjaftueshëm kur bëhet fjalë për anëtarësimin.

Në gjashtë vendet e rajonit, historia e zgjerimit të Bashkimit Europian është një përzierje kombëtare e zhgënjimit, pakënaqësisë dhe shpresave të shpeshta të shuara, me një element të fortë rivaliteti.

Zyrtarët e Brukselit shprehen për një pakënaqësi të thellë për mungesën e përparimit drejt përmbushjes së piketave të përcaktuara prej kohësh, të nevojshme për anëtarësim, veçanërisht në fushën e masave mbrojtëse kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, si dhe në rregullat për prokurimet publike. Homologët e tyre në Ballkan kanë secili një listë të gjatë shembujsh ku, sipas tyre, Brukseli nuk i është përmbajtur pjesës së vet të marrëveshjes.

Serbia, e cila fillimisht ishte vendi kryesues i rajonit në garën për anëtarësim, pa që kërkesa e saj ngeci për shkak të shqetësimeve lidhur me shtetin e së drejtës dhe afrimin e saj me Rusinë, përfshirë refuzimin e Beogradit për të miratuar sanksionet e BE-së kundër Moskës. Kosova dhe Bosnja ende nuk janë kandidate zyrtare; pesë shtete të BE-së madje as nuk e njohin Kosovën. Edhe përparimi i Shqipërisë gjatë pesë viteve të fundit ka ardhur me ritme të ndërprera dhe jo të njëtrajtshme.

Por politikanët në të gjithë BE-në dhe në Ballkan shpresojnë se ritmi i Malit të Zi drejt anëtarësimit do të tregojë qartë se çfarë është e mundur dhe se si mund të arrihet. Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, është optimist. “Zgjerimi po afrohet edhe më shumë,” tha ai në korrik, pasi vendi përfundoi kapitujt mbi politikën e konkurrencës me BE-në dhe bashkimin doganor. “Ne jo vetëm që po përmbushim formalisht standardet e BE-së, por edhe po i bëjmë ato pjesë të modelit tonë të zhvillimit kombëtar.”

Micheál Martin, kryeministri i Irlandës, beson se Mali i Zi mund të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit, gjatë presidencës së radhës të Irlandës në Këshillin e BE-së, duke lënë më pas vetëm procesin e ratifikimit nga vendet ekzistuese anëtare.

“Ne mendojmë se mund t’i çojmë ata në një pikë, pak a shumë, ku të thuhet: ‘Europë, tani është radha juaj. A do ta lejojmë Malin e Zi të hyjë apo jo?’”, i tha Martin “Financial Times”. “Nëse do të mund ta fusnim Malin e Zi në BE, kjo do të ishte një shenjë konkrete për të gjithë të tjerët se kjo mund të funksionojë… Do të ishte një moment historik nëse kjo do të ndodhte.”

Por historia e rajonit me nacionalizëm të rrënjosur thellë dhe rivalitete të vazhdueshme mbetet një shqetësim në Bruksel. Një kufi i Bashkimit Europian që do të kalonte përmes Ballkanit do të ndërpriste vijat etnike, duke i thelluar dhe potencialisht duke i ngurtësuar ndarjet.

“Nuk mund t’i shpjegosh asnjë personi në Beograd se Mali i Zi ose Shqipëria janë përpara nesh. Askush nuk do ta besonte këtë, sepse njerëzit e njohin situatën,” i tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “Financial Times”, duke iu referuar peshës më të madhe që ka vendi i tij në PBB-në e rajonit, eksporteve më të larta drejt BE-së dhe standardit më të mirë të jetesës.

“Ne jemi i vetmi vend relativisht i industrializuar mirë, me potencialin dhe kapacitetet më të mëdha. Ne jemi i vetmi vend që ka kapacitete reale… të rëndësishme ushtarake dhe kapacitete të industrisë së mbrojtjes,” thotë Vuçiç.

“Ne punojmë çdo ditë me europianët për të gjitha këto reforma, nga të gjitha rekomandimet deri te çështjet e agjencive rregullatore, te… ligjet kundër korrupsionit dhe gjithçka tjetër,” thotë Vuçiç. “Nëse dikush në Bruksel mund të thotë ndryshe, kjo nuk e ndryshon realitetin.”

Pavarësisht gjithë shpresës dhe pritshmërive në vendet kandidate, pyetja themelore mbetet: A është vetë Bashkimi Europian gati për anëtarë të rinj, pavarësisht nëse anëtarët e rinj janë apo jo gati për këtë union?

“Ndikimi më i madh i Ukrainës në debatin për zgjerimin, mbi të gjitha, është se ajo e ka bërë të qartë se sa të papërgatitur jemi ne për anëtarë të rinj,” thotë zyrtari i lartë i BE-së. “Edhe ne kemi nevojë për një angazhim për reforma të brendshme.”

Ndërsa retorika për zgjerimin ka marrë vrull, kryeqytetet europiane kanë studiuar mënyra për të ndryshuar potencialisht procesin e pranimit, ose edhe rezultatin përfundimtar të tij. Franca dhe Gjermania kanë qarkulluar të dyja propozime fillestare që do të ofronin një model integrimi gradual dhe me faza, ku përfitimet e anëtarësimit do të zgjeroheshin në këmbim të përmbushjes së piketave të reformave, në vend të sistemit aktual ku anëtarësimi i plotë arrihet vetëm pasi përfundon i gjithë procesi.

“Ne duhet të evoluojmë,” thotë komisionerja e BE-së, Kos. “Ne ende po përdorim një metodologji e cila, pak a shumë, është e njëjtë me atë që ishte 40 vjet më parë, kur Spanja dhe Portugalia iu bashkuan Bashkimit Europian.”

Në dritën e propozimeve franceze dhe gjermane, të cilat morën përgjigje përgjithësisht të vakëta nga pjesa tjetër e Bashkimit Europian, Brukseli pritet të publikojë propozimet e veta për një reformë të mundshme të zgjerimit, duke përfshirë atë që Kos e përshkruan si një vlerësim teknik të ndikimit që do të kishte numri më i madh i anëtarëve mbi funksionimin dhe politikat e BE-së, si dhe propozime për integrim gradual.

“Zgjerimi aktualisht po ecën me një shpejtësi që nuk e kemi parë në 15 vitet e fundit,” thotë ajo. “Kjo kërkon udhëheqje dhe kërkon ndërtimin e besimit me të gjitha 27 shtetet tona anëtare.”

Në vendet kandidate, qëndrimi ndaj mundësisë së një anëtarësimi të pjesshëm ose të ndërmjetëm është i përzier. Kievi në përgjithësi ka refuzuar çdo gjë që të jetë më pak se anëtarësimi i plotë, ndërsa Beogradi ka sinjalizuar hapje ndaj kësaj ideje.

“Na jepni kufij të hapur, na jepni tregun [e përbashkët], nuk kemi nevojë për asgjë tjetër. Dhe për ta marrë këtë, ne jemi të gatshëm të përshtatim politikat tona me ato evropiane, por edhe ne kemi nevojë të marrim diçka nga Europa,” thotë Vuçiç. “Jo që të na thuhet: në rregull, ju duhet të përmbushni gjithçka dhe pastaj ne do të vendosim nëse do t’ju japim diçka apo jo.”

Për Ballkanin, një vendim politik për zgjerim së bashku, në vend të një qasjeje thjesht të bazuar në meritë, do të ndihmonte në uljen e tensioneve ndërkufitare dhe do të përmbushte vizionin fillestar të Bashkimit Europian për bashkimin e kontinentit në paqe. Analistët sugjerojnë gjithashtu se shpërblimet konkrete për reformat, ndërsa ato janë duke u kryer, do ta bënin procesin të dukej i pakthyeshëm dhe do të ndihmonin në zbehjen e argumenteve se anëtarësimi është vetëm një iluzion.

“Qytetarët nuk kanë besuar se integrimi në BE është një mundësi reale, pavarësisht diskutimeve se Mali i Zi do të anëtarësohet,” thotë Deda. “Kjo energji e re nga Franca dhe Gjermania, duke përcaktuar se çfarë duhet të bëjë secili vend… ka përfitime të jashtëzakonshme.”

“Dinamika në Bosnje, Kosovë dhe Serbi mund të ndryshojë me një ofertë të re për zgjerim,” shton ai. “Një ndjenjë përkatësie… Njerëzit nuk do të kenë më arsye të mblidhen rreth nacionalistëve sapo ta dinë se kjo mund t’i izolojë vendet e tyre dhe t’i lërë jashtë kësaj mundësie.”

Por brenda vetë Bashkimit Europian ekzistojnë shqetësime se çdo gjë më pak se anëtarësimi i plotë, me përafrim të plotë të legjislacionit, mund të dobësojë vlerat themelore të unionit dhe parimin e tij “të bazuar në meritë” për anëtarësim.

“Në këtë debat mes qasjes së bazuar në meritë dhe ideve që po shfaqen së fundmi rreth asociimit: ne do të përqendrohemi shumë te qasja e bazuar në meritë, sepse mendoj se kjo është realiteti konkret në këtë moment,” thotë Martin i Irlandës, duke iu referuar mungesës së “unanimitetit ose konsensusit” për një qasje alternative.

Irlanda është e gatshme të “akomodojë dhe lehtësojë debatin”, shton ai. “Por ne nuk do të shpërqendrohemi nga detyra e përfundimit të negociatave që Mali i Zi ka nisur.”

Disa zyrtarë gjithashtu kanë frikë se diskutimet mbi procesin e zgjerimit mund të përfundojnë duke vonuar aplikimet që janë aktualisht në proces, pikërisht në një moment kur vrulli i zgjerimit është më i madh se sa ka qenë për më shumë se një dekadë.

“Nuk mendoj se kjo është diçka që, në këtë moment, duket si një ide e zbatueshme dhe e realizueshme,” thotë Dimitar Keranov, studiues vizitor në German Marshall Fund në Berlin. “Ajo do t’i vonojë gjërat, sepse në momentin që fillon të zbatohen ose të futen procese të reja, gjithçka do të mbushet me pasiguri… çdo reformë e re do të duhet fillimisht të testohet.”

Procesi aktual, shton ai, “në të vërtetë po bën atë që duhet të bëjë: po shpërblen ata që i bëjnë detyrat e tyre.” “Zgjerimi nuk është një dhuratë. Është një provim.”

Shumë njerëz brenda dhe jashtë Bashkimit Europian i shohin muajt e mbetur të vitit 2026 si momentin më kritik për zgjerimin në një brez të tërë. Nëse Mali i Zi arrin të mbyllë kapitujt e mbetur të negociatave, ndërsa vendet aktuale anëtare të BE-së bien dakord gjithashtu për reforma të brendshme që do ta bëjnë një union më të madh të funksionojë pa probleme, atëherë, sipas tyre, është e mundur të krijohet një Bashkim Europian më i madh dhe më i fuqishëm gjeopolitikisht.

Por nëse Brukseli do të përfshihet në mosmarrëveshje të brendshme dhe përplasje politike rreth mënyrës se si duhet të duket zgjerimi dhe çfarë duhet të sjellë ai, durimi i atyre që presin jashtë “gardhit prej kadifeje të kuqe” mund të marrë fund.

Kjo, sipas Martin, do të ishte në favor vetëm të kundërshtarëve të Europës. “Thelbi është ky: nëse Europa nuk është proaktive në Ballkanin Perëndimor ose në fqinjësinë e saj, dikush tjetër do të jetë,” thotë ai. “Të tjerët do të manipulojnë dhe do ta shtrembërojnë realitetin.”

Video

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë goditi ishullin Kyushu nw Japoni, ndërsa një ekip kirurgësh ndodhej në mes të një operacioni delikat. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar çastet e tensionit, ku mjekët përpiqen me çdo kusht të mbrojnë pacientin dhe të mbajnë të palëvizshme tavolinën e operacionit, ndërsa salla dridhet nga lëkundjet e forta. Pavarësisht panikut dhe rrezikut, stafi mjekësor nuk e braktisi pacientin. Operacioni u ndërpre vetëm për pak minuta dhe më pas rifilloi, duke përfunduar me sukses. Tërmeti shkaktoi pasoja të rënda në Japoni, me dhjetëra viktima, mbi 100 të plagosur, ndërtesa të shembura dhe mijëra familje pa energji elektrike.

Një i ri me origjinë afrikane ka humbur jetën në Ceuta, pasi tentoi të hynte ilegalisht në enklavën spanjolle nga Maroku duke përdorur parashutë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, kur i riu ra në det. Ekipet e shpëtimit e nxorën nga uji dhe tentuan ta rikthenin në jetë, por pa sukses. Sipas autoriteteve spanjolle, kjo metodë është përdorur nga disa migrantë që prej tetorit 2025, ndërsa dhjetëra persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin drejt Ceutës.

Vullkani Etna në Siçili vijon të mahnisë me aktivitetin e tij spektakolar, por edhe të krijojë vështirësi për zonën përreth. Një çarje e re shpërthyese është hapur në zonën e Valle del Bove, në një lartësi rreth 2 750 metra mbi nivelin e detit. Ndërkohë, gjatë natës është regjistruar një ujëvarë e fuqishme llave nga krateri Voragine, në një lartësi prej rreth 3 000 metrash, duke krijuar një pamje mbresëlënëse të ndriçuar nga flakët e lavës. Aktiviteti i Etna-s ka ndikuar edhe në transportin ajror. Aeroporti i Katanias u hap përkohësisht, por më pas u mbyll sërish për shkak të hirit vullkanik të shpërndarë në atmosferë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme