
Mojtaba Khamenei i plagosur rëndë, me fytyrën të shpërfytyruar, njërën këmbë të amputuar dhe i paaftë për të folur. Më pas, lajmet se ai ishte “në gjendje të përsosur”. Një takim me presidentin Masoud Pezeshkian për t’u dhënë fund zërave. Dhe sërish sot, raportime nga mediat iraniane se ajatollahu ndodhet në gjendje shumë të rëndë: “Nuk do të na habiste nëse së shpejti do të mësonim për martirizimin e tij”, ka thënë një burim pranë presidentit për Iran Wire.
Prej muajsh, rreth Udhëheqësit Suprem të Iranit qarkullojnë vazhdimisht lajme dhe përgënjeshtrime. Gjithçka nisi pasi Mojtaba u zgjodh në prill si pasues i të atit, Ali Khamenei. Që prej asaj kohe, ai nuk është parë dhe as dëgjuar publikisht, duke ushqyer misterin dhe pasigurinë jashtë vendit, por edhe përçarjet brenda Iranit.
Pas sulmit të 28 shkurtit, Khamenei dyshohet se mbeti i plagosur rëndë. Sipas një prej rindërtimeve të para të ngjarjes nga New York Times, Mojtaba iu nënshtrua tri ndërhyrjeve kirurgjikale në këmbë. Fytyra dhe buzët e tij pësuan djegie të rënda, duke ia bërë të vështirë të fliste. Komunikimi me të realizohej përmes një sistemi kompleks dhe të rrezikshëm korrierësh që përcillnin mesazhet.
Këto versione janë hedhur poshtë disa herë nga Teherani, i cili ka këmbëngulur se bëhej fjalë vetëm për “plagë sipërfaqësore”. Megjithatë, mungesa e Mojtaba Khameneit në funeralin e të atit ka shtuar dyshimet dhe ka thelluar përçarjet e brendshme.
Ndërsa Pezeshkian ecte pranë arkivolit gjatë ceremonisë në Teheran, disa mbështetës të linjës së ashpër nisën ta kundërshtonin. Për ta, problemi nuk lidhet vetëm me marrëveshjen me Uashingtonin, por edhe me pyetjen se kush e ushtron sot realisht pushtetin në Teheran.
Për krahun radikal të pushtetit, nga drejtuesit e Gardës Revolucionare deri te Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare, mungesa e Khameneit dyshohet se është shfrytëzuar nga Pezeshkian për të imponuar një linjë më pragmatike.
Megjithatë, presidenti është, deri më tani, i vetmi përfaqësues i sistemit që thuhet se është takuar me Khamenein, në muajin maj. Sipas Pezeshkianit, takimi mes tyre duket se është zhvilluar në një atmosferë miqësore. Por Iran International paraqet një version shumë të ndryshëm: presidenti dyshohet se ka kaluar vetëm pak minuta në një makinë të errët, me xhama të zinj, së bashku me Khamenein.
Sipas këtij versioni, presidenti nuk ka arritur të shohë fytyrën e personit që ndodhej pranë tij dhe madje ka pyetur nëse zëri që po dëgjonte i përkiste vërtet Udhëheqësit Suprem.
Takimi dyshohet se u realizua vetëm pas kërkesave të përsëritura të Pezeshkianit dhe madje pasi presidenti kërcënoi se do të jepte dorëheqjen, për shkak se qeveria e tij ishte përjashtuar nga vendimmarrja për çështjet më të rëndësishme, ndërsa fraksionet më të ashpra të Gardës Revolucionare kishin marrë kontrollin e çështjeve shtetërore.
Ndërsa vazhdojnë të alternohen raportimet dhe përgënjeshtrimet mbi gjendjen e Khameneit, po thellohen edhe përçarjet e brendshme në Iran. Pas imazhit të unitetit dhe stabilitetit që regjimi përpiqet të projektojë, po bëhen gjithnjë e më të dukshme dobësitë dhe brishtësia e krijuar nga boshllëku i lënë nga mungesa e Udhëheqësit Suprem./La Repubblica/






















