Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur dy urdhra të rinj ekzekutivë që synojnë të kufizojnë të drejtën për shtetësi automatike për disa fëmijë të lindur në territorin amerikan dhe të godasin fenomenin e njohur si “turizmi i lindjeve”.
Lëvizja vjen vetëm pak javë pasi Gjykata Supreme hodhi poshtë përpjekjen e tij të mëparshme për t’u mohuar shtetësinë fëmijëve të emigrantëve pa dokumente dhe atyre me status të përkohshëm në SHBA.
Njëri nga urdhrat zgjeron kategoritë e personave, fëmijët e të cilëve nuk do të përfitojnë automatikisht shtetësi amerikane. Sipas administratës Trump, në këtë kategori mund të përfshihen edhe fëmijët e personave që janë pjesë e organizatave terroriste të huaja, individë që veprojnë në emër të qeverive të huaja, si dhe raste të tjera të përcaktuara nga autoritetet federale. Gjithashtu, urdhri parashikon që shtetësia automatike të mos u njihet fëmijëve, prindërit e të cilëve kanë përdorur mashtrimin për të përfituar status në SHBA.
Urdhri i dytë ka në fokus “turizmin e lindjeve”, praktikë ku gra shtatzëna udhëtojnë drejt SHBA-së me qëllim që fëmija i tyre të lindë në territor amerikan dhe të përfitojë shtetësinë. Trump pretendoi se kjo praktikë përdoret në shkallë të gjerë, megjithëse të dhënat zyrtare tregojnë se ajo përbën më pak se 1% të të gjitha lindjeve në vend. Dokumenti udhëzon agjencitë federale të godasin operatorët që organizojnë udhëtime të tilla.
Kufizimi i shtetësisë për lindje ka qenë një nga premtimet kryesore të Donald Trump në politikën e tij të ashpër ndaj emigracionit. Ai e ka cilësuar vendimin e fundit të Gjykatës Supreme si “shumë të pafavorshëm” dhe ka deklaruar se administrata e tij do të vazhdojë përpjekjet për të ndryshuar mënyrën e interpretimit të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane.
Megjithatë, organizata për mbrojtjen e të drejtave civile ACLU ka reaguar menjëherë, duke e cilësuar nismën antikushtetuese dhe duke theksuar se Gjykata Supreme ka përcaktuar tashmë se shtetësia për lindje garantohet nga Kushtetuta. Për këtë arsye, urdhrat e rinj të Trump pritet të përballen me sfida të shumta ligjore në gjykatat amerikane.






















