
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për aktivisten turke Julide Yazici, e cila u ndalua dy ditë më parë në aeroportin e Rinasit, pas mbërritjes nga Franca.
Vendimi i gjykatës erdhi në përputhje edhe me kërkesën e prokurorit të çështjes, Françes Gani, i cili kërkoi që 32-vjeçarja të qëndrojë në burg deri në mbërritjen e dokumentacionit zyrtar për procedurën e ekstradimit nga autoritetet turke. Turqia ka një afat prej 40 ditësh për të dërguar materialet përkatëse.
Yazici, me profesion mësuese, u arrestua më 5 gusht gjatë kontrollit në pikën kufitare të Rinasit. Verifikimet e autoriteteve shqiptare zbuluan se ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, pasi Gjykata e Stambollit e ka dënuar me 4 vite e 2 muaj burg për veprat penale “dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrje në organizatë terroriste”.
Sipas të dhënave të autoriteteve turke, nga ky dënim asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj dhe 22 ditë burg. Pas vendimit për masën e sigurisë, Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë në një fazë të mëvonshme kërkesën e autoriteteve turke për ekstradimin e saj.
Sipas burimeve policore, Yazici kishte përfituar azil politik në Francë, ndërsa ka deklaruar se në Turqi i rrezikohet jeta.
Aktivistja turke është bërë e njohur për angazhimin e saj në lëvizjet studentore dhe protestat për të drejtat civile. Rreth shtatë vite më parë, gjatë studimeve në Universitetin Boğaziçi të Stambollit, ajo mori pjesë në protesta kundër qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Autoritetet turke e arrestuan për herë të parë në vitin 2016, duke e akuzuar për lidhje me një organizatë terroriste. Yazici dhe mbështetësit e saj i kanë mohuar këto akuza, duke pretenduar se procedimi ndaj saj lidhet me aktivitetin politik dhe pjesëmarrjen në protestat studentore.






















