Kreu i PD, Sali Berisha ka kritikuar deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, se Ukraina nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por, pavarësisht kundërshtimit të tij ndaj qëndrimit të Kievit për Kosovën, kreu i Partisë Demokratike kërkon që shqiptarët të vijojnë të mbështesin Ukrainën në luftën ndaj Rusisë.
Berisha e cilësoi deklaratën e Zelenskyt si “të papranueshme”, duke argumentuar se ajo bie ndesh me vendimet e NATO-s, qëndrimet e vendeve kryesore anëtare të Aleancës dhe, sipas tij, me të drejtën ndërkombëtare.
Por kritika ndaj presidentit ukrainas nuk shkon deri te ndryshimi i qëndrimit ndaj Ukrainës. Për Berishën, shqiptarët duhet të vazhdojnë të jenë në krah të Kievit, pavarësisht se presidenti i këtij vendi mban një qëndrim që bie ndesh me atë që shqiptarët konsiderojnë si një prej çështjeve më të rëndësishme kombëtare.
“Ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelensky në Beograd për pavarësinë e Kosovës, për të cilën ai u shpreh se është e njëanshme”, tha Berisha.
Megjithatë, kryedemokrati nënvizoi se shqiptarët “janë një komb mik me kombin ukrainas” dhe se Shqipëria e Kosova janë solidarizuar me Ukrainën që prej nisjes së agresionit rus.
“Shqipëria duhet të ngelë e palëkundur në mbështetje të Ukrainës ndaj agresionit rus”, deklaroi ai.
Pra, nga njëra anë Berisha e konsideron të papranueshëm qëndrimin e Zelenskyt për Kosovën, ndërsa nga ana tjetër kërkon që kjo deklaratë të mos prekë mbështetjen shqiptare për Ukrainën.






















