Politika 8 August 2026, 13:40 Nga VNA

Fatmir Xhafaj si Fronti Demokratik: Thërret në dëgjesë banorët e pallateve “Arlis”, të ndërtuara nga i afërmi i tij. A po pastrohet figura e Armand Lilos për një leje të re ndërtimi?

Ndaje në Whatsapp

nghngngh.PNG

Komisioni Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, i është përgjigjur peticionit të banorëve të pallateve të ndërtuara nga kompania “Arlis Ndërtim” e biznesmenit Armand Lilo, pranë Farmacisë 10 në Tiranë.

Peticioni lidhet me shqetësimin e banorëve pas zjarrit të katër muajve më parë, kur një prej kullave të kompleksit u shkrumbua totalisht, duke lënë në qiell të hapur familjet që jetonin aty.

Banorët janë ftuar në fund të muajit qershor për një dëgjesë në komision, pasi në peticionin e dërguar institucioneve kryesore në vend ata kërkojnë që fasada të ndryshohet edhe në 6 kullat e tjera të kompleksit. Sipas tyre, në këto ndërtesa është përdorur i njëjti material si në kullën nr. 5, e cila u përfshi dhe u shkrumbua plotësisht nga flakët.

“Nuk kemi ende një datë për dëgjesën. Por do t’i shprehim shqetësimet tona”, tha një banor i njërit prej pallateve, duke theksuar se institucionet e tjera nuk kanë reaguar.

Materialet e përdorura për fasadën konsiderohen të rrezikshme në rast zjarri dhe, nisur nga ajo që ndodhi me pallatin e djegur, banorët e kullave të tjera kërkojnë që fasadat të ribëhen nga e para.

Pallati pranë Farmacisë nr. 10 u shkrumbua tërësisht katër muaj më parë dhe banorët janë zhvendosur në banesa me qira. Rindërtimi i fasadës ka nisur në muajin korrik, kur janë vendosur edhe skelat në objekt, por ende nuk ka një datë se kur banorët do të mund të hyjnë sërish në apartamentet e tyre.

Pas ngjarjes, kompania “Arlis Ndërtim” deklaroi se “merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjitha apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit”.

Por dëgjesa në komision ngre edhe një tjetër pikëpyetje. Armand Lilo është i lidhur familjarisht me Fatmir Xhafajn, pasi është martuar me kushërirën e tij. Për këtë arsye, fakti që pikërisht komisioni i drejtuar nga Xhafaj merr në shqyrtim peticionin e banorëve krijon dyshime mbi mënyrën se si do të trajtohet kjo çështje.

Partia Demokratike prej kohësh ka denoncuar lidhjet mes kryebashkiakut Erion Veliaj, Fatmir Xhafajt dhe Armand Lilos, duke pretenduar se këto lidhje i kanë mundësuar këtij të fundit përfitimin e lejeve të ndërtimit në Tiranë. Ndërsa për cilësinë me të cilën është ndërtuar, sipas banorëve dhe pas asaj që ndodhi me kullën e shkrumbuar, nuk ka shumë nevojë për koment.

Në vend që të jetë një seancë e fortë llogaridhënieje për sigurinë e banorëve dhe përgjegjësitë e ndërtuesit, dëgjesa rrezikon të kthehet në një mundësi për pastrimin publik të figurës së Armand Lilos, i cili deri tani ka dalë pa pasoja të drejtpërdrejta nga një katastrofë që la dhjetëra familje jashtë shtëpive të tyre.

Me gjasë, Lilo ka nevojë të pastrojë disi figurën publike, sidomos nëse i duhet të marrë edhe ndonjë leje tjetër ndërtimi. Dhe në këtë histori, pyetja nuk është vetëm se kush do t’i dëgjojë banorët, por nëse komisioni i drejtuar nga Xhafaj do të kërkojë realisht përgjegjësi, apo thjesht do të prodhojë një seancë ku ndërtuesi del sërish pa i hyrë gjemb në këmbë.

Video

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish pasi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka qëlluar me vezë kryeministrin në detyrë Albin Kurti pasi ky i fundit kërkoi kohë shtesë për propozimin e emrit për kryetar të Kuvendit. Pas këtij veprimi, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ndërprerjen e menjëhershme të punimeve.

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë goditi ishullin Kyushu nw Japoni, ndërsa një ekip kirurgësh ndodhej në mes të një operacioni delikat. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar çastet e tensionit, ku mjekët përpiqen me çdo kusht të mbrojnë pacientin dhe të mbajnë të palëvizshme tavolinën e operacionit, ndërsa salla dridhet nga lëkundjet e forta. Pavarësisht panikut dhe rrezikut, stafi mjekësor nuk e braktisi pacientin. Operacioni u ndërpre vetëm për pak minuta dhe më pas rifilloi, duke përfunduar me sukses. Tërmeti shkaktoi pasoja të rënda në Japoni, me dhjetëra viktima, mbi 100 të plagosur, ndërtesa të shembura dhe mijëra familje pa energji elektrike.

Një i ri me origjinë afrikane ka humbur jetën në Ceuta, pasi tentoi të hynte ilegalisht në enklavën spanjolle nga Maroku duke përdorur parashutë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, kur i riu ra në det. Ekipet e shpëtimit e nxorën nga uji dhe tentuan ta rikthenin në jetë, por pa sukses. Sipas autoriteteve spanjolle, kjo metodë është përdorur nga disa migrantë që prej tetorit 2025, ndërsa dhjetëra persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin drejt Ceutës.

Vullkani Etna në Siçili vijon të mahnisë me aktivitetin e tij spektakolar, por edhe të krijojë vështirësi për zonën përreth. Një çarje e re shpërthyese është hapur në zonën e Valle del Bove, në një lartësi rreth 2 750 metra mbi nivelin e detit. Ndërkohë, gjatë natës është regjistruar një ujëvarë e fuqishme llave nga krateri Voragine, në një lartësi prej rreth 3 000 metrash, duke krijuar një pamje mbresëlënëse të ndriçuar nga flakët e lavës. Aktiviteti i Etna-s ka ndikuar edhe në transportin ajror. Aeroporti i Katanias u hap përkohësisht, por më pas u mbyll sërish për shkak të hirit vullkanik të shpërndarë në atmosferë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme