Sociale 9 August 2026, 17:34 Nga VNA

Tirana, e dyta në Europë për barrën e qirasë ndaj pagës

Ndaje në Whatsapp
Tirana, e dyta në Europë për barrën e qirasë ndaj

Në Tiranë, çmimi mesatar i qirasë për muajin maj 2026 arriti 710 euro në muaj dhe për përballimin e saj një individ me të ardhura neto mesatare prej 760 eurosh në muaj duhej të shpenzojë mesatarisht 93% të pagës për strehim, sipas të dhënave të raportit “Tradingpedia” i cili krahasoi qiratë mesatare me të ardhurat neto për 127 qytete europiane.

Me një qira mesatare prej 710 eurosh në muaj, kryeqyteti shqiptar renditet pas kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonës, ku qiraja mesatare prej 1,331 eurosh zë 99% të të ardhurave mujore.

Pas Tiranës renditet Kievi, ku shpenzimet për qira zunë 88% të pagës mesatare. Në muajin maj në Kiev, qiraja mesatare arriti 558 euro në muaj, ndërsa paga mesatare neto arriti 637 euro në muaj.

Të dhënat tregojnë se megjithëse qiratë në Tiranë mbeten më të ulëta në vlerë krahasuar me qytete të tjera europiane, si Porto në Portugali ku qiraja mesatare arrin 1,108 euro në muaj apo në Malaga të Spanjës 1,195 euro në muaj, niveli i ulët i të ardhurave mesatare neto, e ka bërë strehimin në Tiranë ndër më të papërballueshmit në Europë.

Edhe në Prishtinë, pavarësisht se çmimet e qirasë mujore për muajin maj arritën 326 euro në muaj, ndër më të ulëtat, një individ duhet të shpenzojë 56% të të ardhurave mesatare neto (arritën 583 euro në muaj për muajin maj 2026) për përballimin e strehimit .

Edhe në qytete të tjera si Konstancë në Rumani, ku qiraja mesatare ka arritur 531 euro në muaj, mbetet e papërballueshme. Një individ duhet të shpenzojë 64% të të ardhurave mujore neto.

 

Si po ndikon formalizmi i strukturave me qira 

Kush jep apartamente për qira ditore në Airbnb e Booking nuk ka detyrim të hapë NIPT, por duhet të deklarojë të ardhurat përmes DIVA dhe të paguajnë tatim 15%.

Detyrimi ligjor për formalizimin e qiradhënies afatshkurtër dhe aplikimi i tatimit prej 15% mbi të ardhurat po ndikojnë në mënyrën se si është organizuar tregu i qirave ditore në Shqipëri.

Sipas zhvillimeve të fundit në sektorin e pasurive të paluajtshme, shumë pronarë që disponojnë një ose dy apartamente po zhvendosen nga qiraja ditore drejt qirasë afatgjatë, për shkak të kostove më të larta operative, taksimit dhe nevojës për administrim më të shpeshtë të pronës.

Nga ana tjetër, segmenti i qirave afatshkurtra po konsolidohet gjithnjë e më shumë tek operatorë profesionalë dhe agjenci imobiliare, të cilat menaxhojnë portofola më të mëdhenj pronash dhe ofrojnë shërbime të plota si marketingu, mirëmbajtja dhe administrimi i rezervimeve në platforma digjitale si Airbnb.

Agjentët imobiliarë vlerësojnë se ky zhvillim po krijon një ndarje të re të tregut, ku pronarët që disponojnë vetëm një pronë po orientohen drejt qirasë afatgjatë për stabilitet më të lartë të të ardhurave, ndërsa qiraja ditore po përqendrohet në struktura të menaxhuara nga agjenci.

Po ashtu, Administrata Tatimore ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024, në Shqipëri janë regjistruar mbi 8,472 individë dhe subjekte që kanë gjeneruar të ardhura nga dhënia me qira e akomodimeve përmes platformës Airbnb.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera totale e rezervimeve për këtë periudhë ka arritur në rreth 3.8 miliardë lekë, apo rreth 40 milionë euro, ndërsa komisionet e platformës janë rreth 167.5 milionë lekë.

Administrata Tatimore ka njoftuar disa herë se disponon të dhëna mbi këto transaksione dhe u ka kërkuar individëve dhe subjekteve që kanë përfituar të ardhura nga qiradhënia afatshkurtër përmes platformës të plotësojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025), në përputhje me ligjin tatimor në fuqi.

Administrata ka paralajmëruar se mosdeklarimi i të ardhurave mund të sjellë kontrolle tatimore dhe penalitete, ndërsa deklarimi i saktë konsiderohet detyrim ligjor për shmangien e problemeve me organet fiskale.

Megjithatë, një pjesë e këtyre individëve nuk janë formalizuar, duke nxitur marrjen e masave për evidentimin dhe fiskalizimin e këtij aktiviteti të zhvilluar në tregun informal.

Pavarësisht sa më sipër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se ka marrë një sërë masash për sa i përket identifikimit të individëve që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira ditore ose jo të pasurive të paluajtshme.

Për identifikimin e individëve që lëshojnë prona me qira ditore dhe formalizimin e tyre, Tatimet nisën identifikimin nëpërmjet komisioneve të paguara prej tyre në platformën Booking.

Drejtoria e Hetimit gjithashtu ka hartuar një projekt pilot për evidentimin e këtyre të dhënave, nëpërmjet përfaqësuesve tatimorë në Shqipëri që japin prona me qira në platformat Booking apo AirBnb.

Projekti parashikon që numri i qiradhënësve të identifikuar përmes komisioneve të paguara, për formalizimin të kryqëzohen me një sërë të dhënash, përfshirë deklarimet në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), me qëllim mbajtjen 15% të tatimit në burim për të ardhurat e patatuara./monitor.al

 

Video

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi largimin e flamurit të Ukrainës dhe mbishkrimit “Free Ukraine” nga një hotel në qendër të kryeqytetit. Vendimi vjen pas deklaratës së Volodymyr Zelenskyt në Beograd se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës. Rama tha se solidariteti me popujt në luftë nuk mund të jetë në kurriz të shtetësisë së Kosovës. “Kur Kosova nuk respektohet, përgjigjja jonë duhet të jetë gjithmonë e njëjtë: respekti është reciprok”, deklaroi ai.

Kruja u përfshi mbrëmë nga një zjarr masiv, që u përhap me shpejtësi dhe iu afrua banesave e bizneseve. Flakët dogjën ullishte, pemë frutore dhe bimësi, ndërsa një magazinë biznesi u përfshi nga zjarri. Në operacion u angazhuan mbi 200 efektivë, rreth 80 zjarrfikës, 21 mjete dhe mjete ajrore. Mes flakëve, zjarrfikësit e Kamzës u panë duke ndërhyrë pa kaska, uniforma termoizoluese dhe pajisje të përshtatshme mbrojtëse. Pavarësisht kushteve të vështira, zjarri u izolua dhe nuk pati viktima apo banesa të djegura. Pas zjarrit, zona ka mbetur me dëme të konsiderueshme dhe sipërfaqe të mëdha të shkrumbuara.

Pasi shkarkoi ujërat e zeza në plazhin e Hamallajt, mbyllet kanali shkarkues në ValaMar. Pasi pamjet pushtuan rrjetin, një skrep u shfaq për të mbyllur kanalin me një barrierë rëre.

Me vendim të GJKKO-së, hetuesit sekuestruan në ambientet e kompanisë Atelier 4 dokumente që lidhen me projektin e arredimit të një vile luksoze në Palasë. Vila ndodhet në kompleksin Green Coast dhe dyshohet nga hetuesit se mund të jetë pasuri e fshehur e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sekuestrimi i dokumenteve është kryer në kuadër të hetimeve të SPAK ndaj Ballukut për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ajo është e pandehur edhe për çështjen e tenderave të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Balluku vijon të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa ndaj saj janë në fuqi masat e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme