I dënuari me burgim të përjetshëm, Ardian Çapja, ka kërkuar leje për të lënë përkohësisht ambientet e burgut, me qëllim që t’i japë lamtumirën e fundit nënës së tij, e cila ka ndërruar jetë.
Kërkesa e Çapjas është bërë për arsye familjare, ndërsa autoritetet ende nuk kanë vendosur nëse ai do të shoqërohet drejt Elbasanit, për shkak të vlerësimit të masave të sigurisë.
Ardian Çapja është dënuar si financues dhe urdhërues i vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, ngjarje e cilësuar si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Sokol Çapja.
Ai njihet si një nga emrat më të përfolur të botës kriminale në Elbasan dhe si kundërshtar i Suel Çelës. Çapja u ka mbijetuar disa atentateve ndër vite, ndërsa më i rëndi mbetet ai me snajper nga Kodra e Krastës.
Vendimi nëse do t’i lejohet pjesëmarrja në ceremoninë mortore pritet të merret pas vlerësimit të rrezikut dhe kushteve të sigurisë për shoqërimin e tij.






















