Një ngjarje tragjike është regjistruar paraditen e kësaj të diele në Ksamil, ku një vajzë vetëm 4 vjeçe ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur aksidentalisht nga automjeti që drejtohej nga babai i saj.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30, në një parkim privat pranë plazhit në Ksamil.
Shtetasi E. M., teksa po kryente manovrën e parkimit me një automjet tip “Audi”, dyshohet se ka goditur aksidentalisht vajzën e tij 4-vjeçare.
Përplasja ka rezultuar fatale për të miturën, e cila ka humbur jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas ngjarjes, në zonë kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Hetuesit po kryejnë veprimet e nevojshme për të dokumentuar ngjarjen dhe për të përcaktuar rrethanat e sakta në të cilat ndodhi aksidenti tragjik.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.






















