Shoko Kawata kishte hyrë një herë në histori kur, në vitin 2023, u zgjodh kryebashkiake e qytetit Yawata dhe u bë kryebashkiakja më e re femër në Japoni, në moshën 33-vjeçare. Tre vite më vonë, ajo ka vendosur një tjetër precedent: është bërë kryebashkiakja e parë në detyrë në vend që merr leje lindjeje.
Por historia ka një detaj që e bën edhe më të pazakontë. Për postin e saj nuk ekzistonte një sistem i përcaktuar për lejen e lindjes. Kawata duhej të krijonte rregullat që do t’i mundësonin të largohej përkohësisht nga detyra për të lindur fëmijën, i cili pritej në shtator.
Vendimi ka hapur debat në Japoni, një vend ku gratë vazhdojnë të jenë dukshëm më pak të përfaqësuara në politikë dhe ku çështja e balancës mes karrierës dhe familjes mbetet një sfidë e madhe. Kawata argumentoi se pikërisht mungesa e grave të reja në poste të larta shpjegon pse askush nuk kishte krijuar më parë një procedurë të tillë për kryebashkiakët.
Ajo vazhdoi të merrte pjesë në aktivitetet publike deri pranë nisjes së lejes, përfshirë festivalin tradicional Taiko të qytetit, duke përshtatur pjesëmarrjen për shkak të shtatzënisë. Shumë banorë e mbështetën vendimin, por në internet pati edhe kritika, përfshirë diskutime mbi faktin se ajo do të vazhdonte të merrte pagën e plotë gjatë periudhës së lejes.
Rasti i Kawata-s merr një peshë më të madhe në një Japoni që prej vitesh po përballet me plakjen e popullsisë dhe lindshmërinë e ulët. Mesazhi i saj është se shoqëria nuk mund t’u kërkojë njerëzve të krijojnë familje, nëse drejtuesit dhe institucionet nuk krijojnë kushtet që puna dhe prindërimi të bashkëjetojnë.






















