Në një tempull budist në bregun verilindor të Koresë së Jugut, të rinjtë nuk shkojnë vetëm për meditim. Për dy ditë, Naksansa është kthyer edhe në një vend ku beqarët përpiqen të gjejnë një partner, larg aplikacioneve të takimeve, bareve dhe ritmit të shpejtë të qyteteve.
Interesi këtë vit ishte befasues: 4,225 persona aplikuan për vetëm 20 vende. Kjo do të thotë se vetëm një pjesë fare e vogël e aplikantëve patën mundësinë të merrnin pjesë në retreat-in e organizuar nga Korean Buddhist Foundation for Social Welfare.
Programi nuk ngjan me një takim klasik romantik. Pjesëmarrësit veshin rrobat tradicionale të tempullit dhe marrin pjesë në ushtrime besimi, përfshirë ecje me sy të lidhur, takime individuale, biseda gjatë çajit, joga në plazh dhe aktivitete të mbikëqyrura nga murgjit. Ideja është që njerëzit të njihen në një mjedis më të qetë dhe të krijojnë lidhje përmes bashkëpunimit e komunikimit.
Programi nisi në vitin 2023 dhe është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të adresuar një problem serioz shoqëror: rënien e lindshmërisë në Korenë e Jugut. Shkalla totale e fertilitetit u rrit lehtë nga 0.75 në vitin 2024 në 0.80 në 2025, por vazhdon të jetë jashtëzakonisht e ulët.
Organizatorët nuk pretendojnë se një retreat dyditor do të zgjidhë krizën demografike. Por ata shpresojnë të krijojnë një hapësirë ku të rinjtë që e kanë të vështirë të krijojnë lidhje në jetën e përditshme të kenë një mundësi tjetër.
Dhe numri rekord i aplikimeve tregon se dëshira ekziston. Në një vend të lidhur fort me teknologjinë, mijëra të rinj po tregojnë se janë gati të heqin telefonin nga dora dhe të provojnë një mënyrë shumë më të vjetër për të gjetur dashurinë: një bisedë ballë për ballë.






















