Një zbulim i ri arkeologjik pranë Koloseut mund të hedhë dritë mbi mënyrën se si Roma e lashtë organizonte sigurinë publike dhe mbrojtjen nga zjarret.
Arkeologët kanë zbuluar në parkun Villa Celimontana, në kodrën Caelian të Romës, mbetjet e një ndërtese të shekullit II pas Krishtit, e cila dyshohet se mund të ketë shërbyer si kazermë për “Vigiles”, trupën që në Perandorinë Romake kryente rolin e zjarrfikësve dhe rojeve të natës.
Sipas autoriteteve italiane, struktura e zbuluar ndodhet jo shumë larg Koloseut dhe përmban elementë dekorativë të ruajtur, përfshirë mozaikë dhe afreske. Mes motiveve të gjetura janë figura detare si delfin, peshq, karavidhe dhe gaforre, të vendosura rreth një ene me dy doreza. Arkeologët kanë evidentuar edhe një tavan të pikturuar me rrathë të kuq dhe blu.
Këto elementë, sipas studiuesve, ngjajnë me dekorimet e gjetura në një kazermë të njohur të Vigiles në Ostia, porti antik i Romës. Kjo ka ngritur dyshimin se ndërtesa e zbuluar në Villa Celimontana mund të ketë qenë e lidhur me Kohortën e Pestë të Vigiles.
Vigiles ishin një nga strukturat më të rëndësishme të jetës urbane në Romën perandorake. Ata merreshin me shuarjen e zjarreve, patrullimin gjatë natës dhe ruajtjen e rendit publik në një qytet ku zjarret ishin një rrezik i përhershëm.
Megjithatë, arkeologët janë ende të kujdesshëm me përfundimet. Për shkak të dekorimeve të pasura, nuk përjashtohet mundësia që ndërtesa të ketë qenë edhe një “domus”, pra një rezidencë private e një familjeje të pasur romake. Interpretimi përfundimtar do të varet nga analizat e mëtejshme të materialeve të gjetura gjatë gërmimeve.
Nëse konfirmohet se bëhet fjalë për një kazermë të Vigiles, zbulimi do të ishte i rëndësishëm për të kuptuar më mirë organizimin e Romës së lashtë, jo vetëm si kryeqytet perandorak, por edhe si një metropol që kishte nevojë për struktura të përditshme sigurie, emergjence dhe kontrolli.
Zbulimi është pjesë e punimeve arkeologjike të financuara pjesërisht nga fondet europiane të rimëkëmbjes pas pandemisë. Autoritetet italiane pritet të vijojnë analizat për të përcaktuar funksionin e saktë të ndërtesës.






















