Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë anën e malit të Krujës, duke krijuar një situatë kritike në disa zona të qytetit. Flakët kanë përparuar në drejtim të lagjes Abaze, ku rrezikohen rreth 30 banesa.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për të ndërhyrë me mjete zjarrfikëse në disa prej vatrave, operacioni i shuarjes po kryhet edhe nga ajri. Dy helikopterë vijojnë ndërhyrjen duke hedhur ujë mbi zonën e përfshirë nga flakët, me synim lokalizimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij drejt banesave.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse të Krujës janë pozicionuar në afërsi të malit, ku përveç banesave rrezikohen edhe disa biznese, si dhe vendi i shenjtë i Sarisalltikut.
Situata më alarmante paraqitet në lagjen Abaze, e cila ka rreth 300 banesa, ndërsa flakët po afrohen me disa prej tyre. Forcat në terren po punojnë për të mbajtur zjarrin nën kontroll dhe për të mbrojtur zonat e banuara.






















