Bota 9 August 2026, 17:37 Nga VNA

Një pyetje që do të përcaktojë shekullin XXI

Ndaje në Whatsapp

Kina po shpik të ardhmen. Ekonomia e saj po ngec. Cila do të peshojë më shumë?, shkruan The Economist

Në Yingtan, një qytet në provincën juglindore Jiangxi, e ardhmja teknologjike e Kinës po ndërthuret me të kaluarën e saj ekonomikisht të prapambetur. Tregjet e hapura tradicionale dhe restorantet buzë rrugës e bëjnë qytetin të duket si shumë qendra të tjera rurale në brendësi të Kinës.

Por një park industrial në jug të qytetit, i mbushur me kompani që zhvillojnë teknologji për digjitalizimin industrial, krijon një atmosferë krejt tjetër. Pranë tij, një laborator kombëtar i komunikimeve ka ngritur një qendër kërkimore të teknologjisë së avancuar.

Gjatë dekadës së fundit, autoritetet lokale kanë ndihmuar në transformimin e industrisë së vjetër të bakrit në një sektor që prodhon komponentë të teknologjisë së lartë për kompanitë e reja të zonës.

Bastet teknologjike të Yingtan po japin rezultat. Në vitin 2025, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë i qytetit tejkaloi atë të kryeqytetit provincial, ndërkohë që një dekadë më parë ishte rreth 25% më i ulët.

Megjithatë, ekonomia e tij vazhdon të rëndohet nga kriza e pasurive të paluajtshme dhe nga borxhet e mëdha të grumbulluara nga qeveria lokale që prej fillimit të viteve 2010.

Këto dy botë, e vjetra dhe e reja, duken të largëta nga njëra-tjetra. Por ato bashkëjetojnë në shumë pjesë të Kinës dhe në ekonominë e saj në tërësi.

Goldman Sachs parashikon se prodhimi i avancuar industrial do të kontribuojë në mënyrë të qëndrueshme me rreth një pikë përqindje në rritjen reale vjetore të PBB-së deri në vitin 2029. Megjithatë, pesha e kolapsit të sektorit të pasurive të paluajtshme, që uli rritjen ekonomike me dy pikë përqindje në vitet 2024 dhe 2025, do të vazhdojë të ndihet edhe për disa vite të tjera.

Ekonomia kineze është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit dhe nuk u rikuperua kurrë plotësisht nga bllokimet e paparashikueshme dhe përçarëse gjatë pandemisë Covid-19. Një periudhë trevjeçare e rënies së çmimeve të prodhimit përfundoi vetëm në mars, pasi goditja në tregun e naftës e shkaktuar nga lufta e Amerikës me Iranin rriti çmimet e energjisë në tregun vendas.

Fabrikat po prodhojnë automjete elektrike gjithnjë e më të avancuara për eksport, ndërsa konsumatorët kinezë, të tronditur nga kujtimet e pandemisë dhe krizës së pasurive të paluajtshme, si dhe të pambrojtur nga një rrjet i dobët sigurie sociale, vazhdojnë të hezitojnë të shpenzojnë.

Sipas Yuen Yuen Ang nga Universiteti Johns Hopkins, në historinë moderne nuk ka pasur kurrë një vend të madh që të investojë kaq shumë në teknologjinë e avancuar, ndërkohë që përballet me një ekonomi në ngadalësim dhe një krizë borxhesh të qeverive lokale.

Edhe pse ndikimi negativ i krizës së pasurive të paluajtshme pritet të zbutet në vitet e ardhshme dhe më pas të zhduket, nuk do të duhej shumë për të bllokuar motorin e ri të rritjes. Ai po vihet tashmë në provë nga dobësimi i kërkesës për automjetet elektrike kineze, nga një luftë tregtare e zgjatur dhe nga kriza energjetike.

Megjithatë, Xi Jinping po vë bast se modeli i ri i rritjes do të marrë vrull më shpejt sesa do të shembet modeli i vjetër, i mbështetur te shitja e tokës dhe ndërtimi. Është një bast me rrezik të lartë.

Modeli i vjetër i rritjes mori formë fillimisht në brigjet e Kinës dhe më pas u përhap drejt brendësisë së vendit. Fabrikat në rajonet e pasura lindore punësonin migrantë të varfër nga zonat e thella. Këta punëtorë, të cilët nuk mund të siguronin leje qëndrimi në metropolet e mëdha, shpesh i investonin të ardhurat e tyre në prona në vendlindje.

Blloqe të larta apartamentesh, të ndërtuara gjatë bumit prej dy dekadash të pasurive të paluajtshme, janë ngritur edhe në qytetet më të vogla, duke punësuar çdo vit dhjetëra miliona punëtorë ndërtimi dhe duke thithur prodhime industriale me vlerë të ulët të shtuar. Edhe rrjeti i trenave me shpejtësi të lartë është shtrirë deri në qarqet më të varfra të vendit.

I gjithë ky investim u financua nga huamarrja e qeverive vendore. Sipas një vlerësimi, këto borxhe arrijnë në rreth 60 trilionë juanë (9 trilionë dollarë), ose 43% të PBB-së. Shifra krahasuese në Amerikë është 12%. Rajonet më të varfra ishin shpesh ato që u mbështetën më shumë te ndërtimet e financuara me borxh, si banesa, rrugë dhe ura.

Kjo ka bërë që disa zona, si provinca Guizhou në jugperëndim të Kinës, të kenë infrastrukturë mbresëlënëse – përfshirë një urë 626 metra të lartë, më e larta në botë – por edhe borxhe thuajse të papërballueshme. Deri tani, pak prej këtyre projekteve të kushtueshme publike kanë arritur të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të shlyer kreditorët.

Tashmë investimet po përqendrohen në një grup më të ngushtë sektorësh novatorë me rritje të shpejtë.

Sapo Xi Jinping shpall një objektiv teknologjik – qoftë dominimi në Inteligjencën Artificiale, robotikë, energjinë e fuzionit (energjia që prodhohet kur dy bërthama të lehta atomike bashkohen për të formuar një bërthamë më të rëndë, duke çliruar sasi shumë të mëdha energjie )apo fusha të tjera – qindra qytete në mbarë vendin nisin të mbështesin projekte të lidhura me këto prioritete. Një fond kombëtar për industrinë e gjysmëpërçuesve ka grumbulluar rreth 687 miliardë juanë gjatë 12 viteve të fundit.

Fondet e investimeve të mbështetura nga shteti panë asetet e tyre të rriteshin në afro 400 miliardë juanë vitin e kaluar, 75% më shumë se në vitin 2024.

Në dhjetor, shteti krijoi një fond kombëtar sipërmarrjeje me vlerë 100 miliardë juanë, me mandat për të investuar në industrinë hapësinore, gjysmëpërçuesit, ndërfaqet tru-kompjuter (teknologji që lidhin drejtpërdrejt aktivitetin e trurit me pajisje elektronike) dhe teknologjitë kuantike (teknologji të bazuara në parimet e fizikës kuantike, që premtojnë fuqi shumë më të madhe për llogaritje dhe komunikim).

 

Ambicie teknologjike, realitet i zymtë

Shumë qeveri lokale, përfshirë ato të qyteteve të vogla, po krijojnë fonde të ngjashme duke përdorur të ardhurat tatimore dhe kapitalin e kompanive shtetërore vendase. Ato po ndërtojnë “zona të teknologjisë së lartë” dhe “parqe të Inteligjencës Artificiale” për të tërhequr kompani novatore përmes lehtësive fiskale dhe stimujve të tjerë.

Këto biznese të reja teknologjike pritet të gjenerojnë të ardhura tatimore dhe t’i ndihmojnë qeveritë lokale të dalin nga borxhet, thotë Jean Oi nga Universiteti Stanford. Ndërsa zyrtarët presin të krijojnë “DeepSeek”-un e tyre, laboratorin e Inteligjencës Artificiale që tronditi botën vitin e kaluar me modelin e tij të avancuar, qeveria qendrore po zbut rregullat për t’u dhënë më shumë kohë në shlyerjen e borxheve.

Ndonjëherë autoritetet lokale arrijnë sukses. Metropolet e pasura si Pekini, Hangzhou, Shangai dhe Shenzhen tërheqin talent dhe kapital (katër qytetet pritet të përthithin së bashku rreth 70% të investimeve në Inteligjencën Artificiale).

Kjo mund të nxisë kërkesën për banesa dhe të sjellë rimëkëmbje të lokalizuar të sektorit të pasurive të paluajtshme, vëren Lu Ting nga Banka Nomura.

Edhe disa qytete të tjera mund të kenë fat të ngjashëm. Hefei, në provincën e qetë Anhui, ka krijuar disa kampionë industrialë.

Qyteti strehon fabrikat e BOE Technology, një gjigant i ekraneve LCD, dhe të NIO, prodhues i automjeteve elektrike luksoze. Universiteti lokal nxori nga gjiri i tij iFlyTek, një kompani e suksesshme e Inteligjencës Artificiale për njohjen e zërit, ndërsa qeveria vendore bashkëthemeloi CXMT, prodhuesin kryesor kinez të çipave të avancuar të memories.

Për të parë se si këto projekte mund të dështojnë, mjafton të udhëtosh një orë me tren me shpejtësi të lartë nga Yingtan në Yichun, ku një përpjekje e pasuksesshme për t’u ngjitur në zinxhirin e vlerës së industrisë prodhuese ka dhënë rezultat të kundërt.

Në vitin 2021, qeveria e qytetit investoi 2.3 miliardë juanë për të ndihmuar ndërtimin e një fabrike automjetesh elektrike në një zonë të gjerë kombëtare të zhvillimit të teknologjisë së lartë.

Por, ndryshe nga qendrat e suksesshme të prodhimit të automjeteve elektrike në Shenzhen dhe Hefei, kjo fabrikë ishte e shkëputur nga rrjeti i furnitorëve dhe ekspertiza e nevojshme për prodhim efikas. Që atëherë ajo ka ndalur prodhimin. Edhe pjesa tjetër e zonës industriale duket po aq e pajetë.

Madje edhe projektet që arrijnë të nisin aktivitetin mund të kenë pak ndikim në industrinë vendase. Një dekadë më parë, një fond i financuar nga qeveria qendrore dhe ajo lokale investoi rreth 150 miliardë juanë në provincën malore Guizhou, kryesisht në qendra të ruajtjes së të dhënave dhe shërbime cloud.

Por këto investime nuk arritën të integroheshin me ekonominë lokale, vëren Yuen Yuen Ang. Kompanitë që ndërtojnë qendrat e të dhënave janë të bazuara në bregdet, komponentët e serverëve prodhohen gjetkë dhe kërkesa lokale për kapacitetet e ruajtjes së të dhënave është e kufizuar.

“Është e vështirë që teknologjitë më të avancuara të integrohen në ekonomitë tradicionale dhe të krijojnë vende pune për popullsinë vendase”, thotë Ang.

Ndonjëherë rezultatet janë tragjikomike. Lanzhou, një qytet industrial në veriperëndim të Kinës, ka investuar në fluturime hapësinore komerciale dhe në një projekt për “ekonominë e dronëve”, ndërkohë që për disa vite ka pasur vështirësi të paguajë shoferët e autobusëve, madje duke u kërkuar të marrin kredi personale bankare për të përballuar shpenzimet.

Edhe provincat më të zhvilluara të bregdetit nuk i shpëtojnë këtij fenomeni. Kur gazetarët lokalë vizituan së fundmi parqet e Inteligjencës Artificiale në Guangdong, provinca ku ndodhet Shenzhen-i i suksesshëm, i gjetën ato bosh ose të zëna nga biznese që nuk kishin lidhje me Inteligjencën Artificiale.

Nuk është e vështirë të kuptohet pse kaq shumë projekte dështojnë. Politika industriale e Xi Jinping nxit një konkurrencë të ashpër, ku kompanitë dhe vendet që i presin ato, ndonjëherë deri në nivel distrikti qyteti, përplasen mes tyre.

Ky presion konkurrues ul çmimet dhe rrit cilësinë.

Kompanitë më të mira që dalin nga kjo garë e pakontrolluar, si BYD në prodhimin e makinave, Huawei në elektronikë apo Xiaomi në të dyja fushat, janë të fuqishme dhe të gatshme të sfidojnë botën.

Por ato janë gjithashtu të rralla dhe të përqendruara në qendrat e konsoliduara tregtare, ku ka më shumë talente dhe kapital.

 

Po fitimet ku janë?

Fitimet janë edhe më të rralla. Sipas Chi Lo nga BNP Paribas, kthimet nga investimet nuk përqendrohen aq shumë te kompanitë individuale, sesa te zinxhirët e integruar të furnizimit, të cilët ulin kostot dhe përshpejtojnë ciklet e prodhimit dhe inovacionin.

Pesha e kompanive industriale që rezultojnë me humbje u rrit në një nivel rekord prej rreth 32% në prill, nga 10% në vitin 2011 dhe mbi kulmin e mëparshëm të shënuar gjatë krizës financiare aziatike në vitin 1998 (shih grafikun 1).

 

 

Edhe borxhi i korporatave është i lartë dhe në rritje (shih grafikun 2). Mark Williams, nga Capital Economics, vëren se kompanitë kineze u detyrohen sot bankave vendase dhe investitorëve në obligacione dy herë më shumë se në vitin 2019.

Në të njëjtën periudhë, PBB-ja është rritur me një të tretën. Kompanitë mund të largohen nga aktivitetet prodhuese dhe të ndjekin subvencionet e disponueshme për sektorët e mbështetur nga qeveria qendrore, thotë ai.

 

 

Pjesërisht si rezultat i kësaj, tre ekonomistë të FMN-së llogaritën vitin e kaluar se “produktiviteti total i faktorëve” në Kinë (një tregues që mat sa me efikasitet përdoren kapitali dhe puna) ishte 1.2% më i ulët sesa do të kishte qenë pa politikat industriale të dekadës së fundit.

PBB-ja ishte 2% më e ulët, çka nënkupton humbjen e rreth 400 miliardë dollarëve vlerë të shtuar në vit. Sa më shumë që kompanitë përfshihen në garën për subvencione dhe në luftën për klientë përmes uljes së çmimeve, aq më e vështirë bëhet sigurimi i fitimeve.

Situata është edhe më e vështirë për zona të varfra dhe të largëta si Yichun dhe Guizhou. Provincat e brendshme po gjenerojnë një pjesë gjithnjë e më të vogël të prodhimit industrial të vendit.

Vitin e kaluar ato kontribuuan me 36% të PBB-së industriale, nga gati 48% në vitin 2013, kur Xi Jinping mori pushtetin.

Kjo përbën një problem të madh për fuqinë punëtore me kualifikim të ulët të Kinës, e cila llogaritet mes 300 dhe 400 milionë vetëve. Ndërsa shteti përqendrohet gjithnjë e më shumë te dominimi në teknologjitë e avancuara, një pjesë më e madhe e tyre rrezikon të mbetet pas.

Shumë prej tyre nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të kthehen në shtëpitë familjare në zonat rurale, thotë Scott Kennedy nga CSIS, një institut kërkimor në Uashington.

Sipas një ish-këshilltari të qeverisë qendrore, obsesioni për të fituar garën teknologjike është si një magji që Amerika, pa e kuptuar, ua ka hedhur udhëheqësve kinezë. Kjo garë ka shtrembëruar përparësitë e tyre dhe i ka shtyrë të fokusohen shumë, ndoshta tepër, te teknologjitë e avancuara, duke bërë shumë pak për të zgjidhur problemet e vazhdueshme të ekonomisë kineze, shton ai.

Robotët mund të jenë duke u shtuar, por qytetarët mbeten pesimistë. Shitjet me pakicë u rritën me vetëm 0.2% në prill krahasuar me një vit më parë, niveli më i ulët që nga fundi i vitit 2022, kur Kina ende nuk kishte dalë plotësisht nga bllokimet shkatërruese të pandemisë.

Në mars, vlera e kredive bankare të papaguara të familjeve ra për herë të parë në histori krahasuar me një vit më parë. Do të duhet shumë më tepër se disa suksese në teknologjinë e lartë, sado spektakolare të jenë ato, për të rikthyer besimin dhe optimizmin e kinezëve./monitor.al

Video

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi largimin e flamurit të Ukrainës dhe mbishkrimit “Free Ukraine” nga një hotel në qendër të kryeqytetit. Vendimi vjen pas deklaratës së Volodymyr Zelenskyt në Beograd se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës. Rama tha se solidariteti me popujt në luftë nuk mund të jetë në kurriz të shtetësisë së Kosovës. “Kur Kosova nuk respektohet, përgjigjja jonë duhet të jetë gjithmonë e njëjtë: respekti është reciprok”, deklaroi ai.

Kruja u përfshi mbrëmë nga një zjarr masiv, që u përhap me shpejtësi dhe iu afrua banesave e bizneseve. Flakët dogjën ullishte, pemë frutore dhe bimësi, ndërsa një magazinë biznesi u përfshi nga zjarri. Në operacion u angazhuan mbi 200 efektivë, rreth 80 zjarrfikës, 21 mjete dhe mjete ajrore. Mes flakëve, zjarrfikësit e Kamzës u panë duke ndërhyrë pa kaska, uniforma termoizoluese dhe pajisje të përshtatshme mbrojtëse. Pavarësisht kushteve të vështira, zjarri u izolua dhe nuk pati viktima apo banesa të djegura. Pas zjarrit, zona ka mbetur me dëme të konsiderueshme dhe sipërfaqe të mëdha të shkrumbuara.

Pasi shkarkoi ujërat e zeza në plazhin e Hamallajt, mbyllet kanali shkarkues në ValaMar. Pasi pamjet pushtuan rrjetin, një skrep u shfaq për të mbyllur kanalin me një barrierë rëre.

Me vendim të GJKKO-së, hetuesit sekuestruan në ambientet e kompanisë Atelier 4 dokumente që lidhen me projektin e arredimit të një vile luksoze në Palasë. Vila ndodhet në kompleksin Green Coast dhe dyshohet nga hetuesit se mund të jetë pasuri e fshehur e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sekuestrimi i dokumenteve është kryer në kuadër të hetimeve të SPAK ndaj Ballukut për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ajo është e pandehur edhe për çështjen e tenderave të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Balluku vijon të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa ndaj saj janë në fuqi masat e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme