Bota 9 August 2026, 09:09 Nga VNA

Të gjithë pushtues apo të dëshpëruar? Mitet e rreme për emigrantët që verbojnë politikën

Ndaje në Whatsapp
Të gjithë pushtues apo të dëshpëruar? Mitet e rreme

Nga Francesca Mannocchi – La Repubblica

Europa lëkundet mes dy skajeve: emigranti si kërcënim që duhet zmbrapsur dhe emigranti si viktimë që duhet shpëtuar. Mes këtyre dy imazheve zhduket njeriu. Migrimi nuk është një aksident i historisë nga i cili duhet të mbrohemi, por një nga mënyrat përmes së cilës historia njerëzore vazhdon të zhvillohet.

Ajo që po ndodh këto javë në Ceuta e vendos Europën përballë një problemi të vjetër: mënyrës se si rrëfimi europian mbi migracionin ka krijuar dy figura krejtësisht të kundërta, të cilat, megjithatë, përfundojnë duke kryer të njëjtin funksion – na pengojnë t’i shohim emigrantët si njerëz.

Prej ditësh pamjet nga Ceuta përsëriten. Mijëra njerëz në ujërat mes brigjeve të Marokut dhe enklavës spanjolle, të rinj që përpiqen të notojnë drejt një qyteti europian në Afrikë, ushtarë në plazh, automjete që kthejnë drejt kufirit ata që kanë arritur të hyjnë dhe dhjetëra viktima.

Dhe, me të njëjtën shpejtësi me të cilën shfaqen këto pamje, debati publik europian i shndërron njerëzit në argumente politike.

Nga njëra anë është “pushtuesi”: ai që vjen për të na marrë diçka – vendet e punës, sigurinë, identitetin apo burimet. Ai paraqitet si pjesë e një sulmi të organizuar, ndonjëherë edhe si instrument i një fuqie të huaj. Pra, si kërcënim që duhet zmbrapsur.

Në anën tjetër qëndron “viktima absolute”: njeriu që supozohet se lëviz vetëm prej urisë, luftës apo dëshpërimit. Një person pa dëshira dhe pa vullnet të vetin, një trup që duhet mëshiruar.

Figura e parë kriminalizon aftësinë e emigrantit për të vepruar dhe vendosur për jetën e tij. E dyta ia mohon pikërisht këtë aftësi.

Në të dyja rastet, emigranti pushon së qeni një person kompleks, një njeri si gjithë të tjerët, dhe shndërrohet në instrument të debatit politik. Për të djathtën ai shërben për të organizuar frikën; për një pjesë të së majtës, prej vitesh në pozita mbrojtëse për çështjen e emigracionit, ai duhet të dëshmojë se ka vuajtur mjaftueshëm për të merituar të pranohet.

Frika dhe mëshira duken si qëndrime të kundërta, por mbështeten mbi të njëjtin thjeshtim: të dyja kanë nevojë për një emigrant pa kontradikta.

Viktima, që të pranohet si e tillë, duhet të jetë perfekte. Duhet të ketë vuajtur mjaftueshëm. Duhet të jetë larguar nga vendi i saj për një arsye që ne e konsiderojmë legjitime. Duhet të ketë një të kaluar të patëmetë, të tregojë mirënjohje, të kënaqet me një jetë modeste dhe të mos dalë nga kufijtë moralë që të tjerët kanë përcaktuar për të.

Në momentin që shfaq ambicie, dëshirën për një jetë më të mirë, për konsum, njohje shoqërore apo liri personale, pafajësia e saj fillon të vihet në dyshim.

Edhe kjo, argumenton Mannocchi, është një formë dehumanizimi.

Çfarë tregojnë të rinjtë e Ceutës

Të rinjtë që në fund të korrikut u hodhën në det drejt Ceutës nxjerrin në pah pikërisht atë që rrëfimi tradicional europian për emigracionin e ka të vështirë të pranojë.

Një njeri mund të largohet sepse po arratiset nga kushte të padurueshme. Por mund të largohet edhe sepse dëshiron një jetë tjetër; sepse jeta që ka nuk i mjafton; sepse beson se diku tjetër ekzistojnë mundësi që vendi ku ka lindur nuk mund t’ia ofrojë.

Shumë prej tyre janë rreth 20 vjeç. Kanë telefona, përdorin rrjetet sociale, marrin informacion, vlerësojnë rrezikun dhe në fund vendosin ta ndërmarrin atë.

Ata vijnë nga një vend që nuk është në luftë dhe që Europa e konsideron njëkohësisht partner, aleat dhe një prej gardianëve të jashtëm të kufijve të saj.

Pikërisht për këtë arsye, Ceuta ngre një çështje që shkon përtej debatit moral: a është Europa politikisht e aftë ta menaxhojë migracionin?

“Emergjenca” që zgjat prej dekadash

Prej dekadash Europa vazhdon të flasë për migracionin me gjuhën e emergjencës. Çdo lëvizje njerëzish trajtohet si krizë e papritur, çdo kalim kufiri si fillimi i një emergjence të re dhe çdo rritje e mbërritjeve si provë se sistemi ka dalë jashtë kontrollit.

Por ajo që quhet “emergjencë” është tashmë një gjendje e përhershme.

Migracioni ushqehet nga pabarazitë ekonomike, luftërat, ndryshimet klimatike, transformimet e tregut të punës, destabiliteti politik dhe rrjetet ndërkombëtare. Por krahas tyre ekziston edhe diçka shumë më e vjetër: dëshira njerëzore për të lëvizur drejt vendeve ku besohet se mund të jetohet më mirë.

Vazhdimi i klasifikimit të emigrantëve sipas një hierarkie morale të arsyeve të largimit e pengon Europën ta kuptojë këtë kompleksitet.

Është krijuar një sistem ku vuajtja e bën migrimin të kuptueshëm, ndërsa dëshira e bën të dyshimtë.

Por një politikë reale migracioni duhet të bëjë të kundërtën: të pranojë se shkaqe të ndryshme krijojnë forma të ndryshme migrimi dhe se azili, emigracioni ekonomik, bashkimi familjar, studimet dhe puna kërkojnë instrumente të ndryshme politike.

Asnjë politikë kufitare nuk mund të funksionojë nëse përpiqet t’i fusë të gjitha këto histori në një kategori të vetme.

Pyetja që Ceuta i bën Europës

Në fund, çështja prek vetë kuptimin që Europa dëshiron t’i japë lirisë së lëvizjes.

Dhe kjo mund të jetë pyetja më e vështirë që Ceuta i shtron kontinentit.

Nuk bëhet fjalë vetëm për sa kufij mund të kontrollohen, sa njerëz mund të pranohen, çfarë marrëveshjesh mund të bëhen me vendet e origjinës dhe tranzitit apo cilat mekanizma mund ta bëjnë migrimin më të rregullt.

Pyetja që vjen përpara të gjithave është tjetër:

Çfarë ideje për qenien njerëzore po ndërton Europa përmes politikave me të cilat vendos se kush mund të lëvizë, për çfarë arsyeje dhe me çfarë kushtesh?

Për sa kohë që emigrantëve do t’u kërkohet të jenë diçka ndryshe nga ajo që pranojmë si njerëzore tek vetja, Europa do të vazhdojë të lëkundet mes dy figurave të njëjta: kërcënimit që duhet zmbrapsur dhe viktimës që duhet shpëtuar.

Dhe mes tyre do të vazhdojë të mbetet i padukshëm njeriu: me historinë dhe gabimet e tij, nevojën dhe dëshirën, llogaritjen dhe pakujdesinë, atë prej së cilës ikën dhe atë drejt së cilës dëshiron të shkojë.

Pikërisht aty, përfundon analiza e La Repubblica, duhet të fillojë një politikë europiane e migracionit që pranon një realitet të thjeshtë: lëvizja e njerëzve nuk është një aksident i historisë nga i cili duhet të mbrohemi. Është një nga mënyrat përmes së cilës historia njerëzore vazhdon të shkruhet.

Video

Pamje live nga nje aksion në ish bllok.

Momente dramatike nga Kruja! Përpjekje për të shuar flakët, ndërsa zjarri ka marrë përmasa të frikshme dhe po rrezikon banesat.

Këto janë pamjet e momentit kur Kristian Sterjo, i dyshuari për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë, shoqërohet nga policia drejt furgonit të uniformave blu. Pas disa orësh kërkime, policia ka bërë të mundur kapjen e tij në afërsi të banesës. Sterjo po shoqërohet në komisariat, ku pritet të vijojnë procedurat e mëtejshme hetimore dhe ligjore. Vrasja ndodhi pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

Këto janë pamjet e arrestimit të Renardo Nallbanit, i shpallur në kërkim prej rreth dy vitesh në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Nallbani u lokalizua nga shërbimet e Policisë së Vlorës në vilën e tij në Palasë, ku edhe u bë arrestimi. Ai akuzohet për disa vepra penale në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, ndërsa pas arrestimit pritet të transferohet në Tiranë për vijimin e procedurave ligjore.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme