Një anije është goditur nga një predhë rreth 18 milje detare në lindje të Khasabit, në Oman, duke shkaktuar një zjarr që më vonë u vu nën kontroll, njoftoi Qendra e Operacioneve të Tregtisë Detare e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas autoriteteve, nuk ka viktima dhe asnjë anëtar i ekuipazhit nuk është raportuar i lënduar. Gjithashtu, nuk është konstatuar ndonjë ndikim mjedisor nga incidenti.
UKMTO nuk ka bërë të ditur emrin e anijes, flamurin apo pronësinë e saj, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe llojin e predhës së përdorur.
Incidenti vjen në një moment tensionesh të larta në rajon. Më herët, Emiratet e Bashkuara Arabe akuzuan Iranin se kishte goditur me raketë një anije të kompanisë së naftës ADNOC në Ngushticën e Hormuzit. Kompania tha se nuk pati të lënduar dhe se situata u vu nën kontroll, ndërsa Teherani nuk ka komentuar deri tani mbi akuzat.






















