Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë, ndërsa në qendër të zhvillimeve mbetet Ngushtica e Hormuzit. Irani dhe Omani po negociojnë për krijimin e rrugëve të reja të transportit detar përmes kësaj zone strategjike, e cila është mbyllur nga Teherani që prej nisjes së konfliktit.
Sipas mediave iraniane, ligjvënësit po presin miratimin përfundimtar të një marrëveshjeje kornizë me Omanin, ndërsa po hartohet edhe një projektligj për rregullimin e trafikut detar, me kufizime për disa anije dhe gjoba për shkelësit.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se çdo negociatë me Iranin do të jetë e vështirë dhe do të kërkojë kohë. Ndërkohë, sipas raportimeve, presidenti Donald Trump po përballet me shqetësime për rezervat në rënie të municioneve amerikane, ndërsa gjenerali Dan Caine u ka përcjellë privatisht zyrtarëve të lartë të administratës nevojën për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti.
Teherani, nga ana e tij, ka akuzuar Uashingtonin për “diplomaci teatri” dhe ka mohuar sinjalet për një dialog të drejtpërdrejtë. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka bërë thirrje për unitet, duke vlerësuar gatishmërinë dhe fuqinë e forcave të armatosura iraniane përballë SHBA-së.






















