Jose Mourinho ka vendosur tre rregulla të reja dhe të detyrueshme për të gjithë lojtarët e Real Madridit, teksa trajneri portugez synon të rikthejë disiplinën dhe suksesin te gjiganti madrilen.
Sipas raportimeve të AS, rregulli i parë lidhet me ushqimin. Nutricionistët e klubit do të kenë një rol më të madh në përcaktimin e menusë së përditshme të futbollistëve, me synimin për të optimizuar performancën sportive.
Rregulli i dytë është përpikëria. Çdo lojtar që vonohet në stërvitje do të përballet me një seancë shtesë njëorëshe në palestër. Mourinho kërkon që futbollistët të jenë në qendrën stërvitore të paktën një orë para fillimit të stërvitjes.
Rregulli i tretë lidhet me dëmtimet. Rehabilitimi i futbollistëve duhet të zhvillohet vetëm në Valdebebas dhe nën mbikëqyrjen e klubit, ndërsa trajtimet jashtë strukturave të Real Madridit nuk do të lejohen.
Mourinho synon përmes këtyre masave të vendosë më shumë disiplinë, unitet dhe përgjegjësi në skuadër, duke e vendosur grupin mbi individin.






















