Sociale 9 August 2026, 21:06 Nga VNA

Pas skandalit në Hamallaj, Ujësjellësi gjen fajtorët: dallgët, baticat dhe sedimentet

Ndaje në Whatsapp
Pas skandalit në Hamallaj, Ujësjellësi gjen fajtorët:

Pas denoncimeve të qytetarëve në rrjet dhe publikimit të pamjeve, kanali shkarkues në zonën e plazhit të Hamallajt, pranë ValaMar, është mbyllur me një barrierë rëre.

Në pamjet e bëra publike shihej uji me ngjyrë të errët që dilte nga kanali dhe përhapej në vijën bregdetare, duke ngritur shqetësime për ndotjen e zonës.

Pas shpërndarjes së videos, në zonë është shfaqur një mjet i rëndë, i cili ka ndërhyrë duke mbyllur grykëderdhjen e kanalit me rërë.

Disa orë më vonë, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës reagoi me një njoftim zyrtar, ku pranoi se në zonën e plazhit të Hidrovorit Hamallaj ishte konstatuar ngjyrë e errët e ujit në një segment të vijës bregdetare.

Megjithatë, ndërmarrja mohoi që të bëhej fjalë për ujëra të zeza. Sipas saj, Hidrovori Hamallaj gjatë verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit.

SHRUKD pretendon se ngjyrosja e errët është shkaktuar nga baltë, llumra dhe sedimente të akumuluara në kanal, të cilat janë trazuar dhe transportuar drejt bregdetit nga baticat, zbaticat, erërat e forta dhe dallgëzimi.

Por ky shpjegim ka ngritur pikëpyetje, pasi banorët e zonës thonë se prej rreth dy javësh nuk ka pasur reshje shiu që mund të justifikonin një prurje të tillë të papritur në kanal.

Në njoftim thuhet gjithashtu se rezidencat në zonë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve dhe se ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Lalëz, i cili sipas ndërmarrjes është në funksionim 24 orë në 24.

Por mbyllja e kanalit vetëm pas publikimit të pamjeve ka shtuar dyshimet mbi situatën reale në terren dhe mbi arsyen pse ndërhyrja u krye vetëm pasi ndotja u denoncua publikisht.

Video

Një avion Boeing 757 i kompanisë Delta Air Lines, me 199 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi në bord, u evakuua në aeroportin ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës, pasi tymi u fut në kabinën e pilotëve pak pas ngritjes. Ekuipazhi ndoqi procedurat e emergjencës dhe vendosi të rikthehej në aeroport. Pas uljes, pasagjerët u evakuuan përmes rrëshqitëseve të emergjencës në një rrugë lidhëse të aeroportit.

Një peshk i madh është filmuar duke ndjekur nga afër një pushues në plazhin e Marbellës, në Spanjë. Pamjet tregojnë momentin kur peshku i afrohet pushuesit, duke shkaktuar habi dhe kuriozitet te personat që ndodheshin pranë bregut.

Një banesë është përfshirë nga flakët dhe është djegur plotësisht pasditen e kësaj të diele në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë pas alarmit dhe arritën të shuajnë flakët. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.

Pasi shkarkoi ujërat e zeza në plazhin e Hamallajt, mbyllet kanali shkarkues në ValaMar. Pasi pamjet pushtuan rrjetin, një skrep u shfaq për të mbyllur kanalin me një barrierë rëre.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme