
Policia e Kosovës ka arrestuar në pikën kufitare të Merdares shtetasin kosovar Fehim Sali, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “Spiunazhit”.
Arrestimi u realizua gjatë një operacioni të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas autoriteteve, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). Ai dyshohet gjithashtu se ka mbajtur kontakte me një zyrtar të kësaj agjencie, të identifikuar si Zhelimir Matoviç.
I dyshuari punonte si mësues në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, ndërsa më herët, sipas Policisë, ka qenë pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Hetuesit dyshojnë se Sali është përfshirë edhe në ndërmjetësimin e çështjeve që lidhen me prona dhe dokumente serbe. Autoritetet po hetojnë gjithashtu pretendimet se ai ka mbledhur vota në mbështetje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Pas arrestimit në Merdare, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ushtruan kontroll në banesën e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë operacionit u sekuestruan 39 500 euro, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme, të cilat dyshohet se mund të shërbejnë si prova në vijimin e hetimeve.
Me vendim të Prokurorisë Speciale, Fehim Sali është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, Prokuroria pritet t'i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.






















