Rajoni 19 August 2026, 16:16 Nga VNA

Politika amerikane në Ballkan ka të bëjë vetëm me gazin

Ndaje në Whatsapp
Politika amerikane në Ballkan ka të bëjë vetëm me gazin

Ishulli kroat i Krkut ka shumë pak zanore në emrin e tij, por është i pasur me plazhe mahnitëse. Kur pushuesit mbërrijnë në aeroportin e ishullit, mund të vënë re diçka që duket si një anije e ankoruar. Në fakt, ajo është një terminal lundrues për gaz natyror të lëngshëm (LNG).

Që prej përfundimit të tij në vitin 2021, ai është shndërruar në një nyje të rëndësishme europiane për importin e LNG-së, kryesisht, por jo vetëm, nga Amerika. Ai është gjithashtu një nga arsyet përse synimet amerikane dhe europiane në rajon, të cilat për dekada kanë qenë të afërta, po përplasen gjithnjë e më shumë. Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian, politikat e qasjes “Amerika e Para” kanë filluar ta shtyjnë BE-në mënjanë.

Mosmarrëveshja u bë e dukshme në takimin e muajit prill të zhvilluar në Dubrovnik, një tjetër resort bregdetar kroat, ku u mblodhën anëtarë të BE-së nga rajonet e Adriatikut, Baltikut dhe Detit të Zi. Amerika u përfaqësua në samitin e Nismës së Tre Deteve nga Chris Wright (Kris Rajt), sekretari i saj i Energjisë.

Zoti Rajt promovoi “Kuadrin e Tramp për tubacionet e paqes”, i cili, sipas tij, do t’i mundësonte Europës Qendrore dhe Lindore të zëvendësonte varësinë e mbetur nga gazi rus me gaz amerikan. Kroacia nënshkroi në samit marrëveshjen për lidhjen e Krkut me Bosnjen, e cila aktualisht e merr të gjithë gazin e saj nga Rusia. Po në prill, një kompani amerikane nënshkroi një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh për furnizimin e Shqipërisë me LNG.

E gjithë kjo është dëshmi se Amerika synon të bëjë më shumë sesa thjesht t’i japë fund importeve europiane të energjisë nga Rusia. Ajo po përpiqet, siç thuhej në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të nëntorit 2025, të rikthejë “dominimin energjetik”, të “projektojë fuqinë” dhe të zmbrapsë ato që i konsideron politika të dëmshme europiane për klimën, të cilat “kërcënojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht përdorin pak gaz, ndërsa BE-ja dëshiron që përfundimisht ta eliminojë përdorimin e këtij karburanti. Europianët druhen se zëvendësimi i gazit rus me gaz amerikan do të minojë tranzicionin e vendeve drejt burimeve të rinovueshme dhe do t’ua vështirësojë përafrimin e legjislacionit të tyre energjetik me atë të BE-së, ku synojnë të anëtarësohen.

Shtysa amerikane ka të ngjarë t’u sjellë përfitime bashkëpunëtorëve politikë dhe të biznesit të Donald Trampit, të cilët, sipas të gjitha gjasave, do të fitojnë kontrata për infrastrukturën dhe shërbimet, thotë Ivan Brodiç, redaktor i “Energypress”, një faqe kroate lajmesh për energjinë.

Linja e gazit mes Bosnjes dhe Kroacisë, për shembull, ishte diskutuar prej vitesh. Por politikanët e vendit, të ndarë përgjatë vijave etnike mes boshnjakëve (myslimanë), kroatëve dhe serbëve, nuk kishin qenë kurrë në gjendje të binin dakord për të. Megjithatë, në prill boshnjakët ndryshuan papritur një ligj dhe caktuan si investitorin kryesor të projektit një kompani në pronësi amerikane, pa asnjë përvojë të mëparshme në gaz apo tubacione. Ndër drejtorët e kompanisë janë edhe një ish-avokat të zotit Tramp dhe vëllai i Michael Flynn (Majkëll Flin), ish-këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare.

Zoti Flin është lobist për Milorad Dodikun, liderin de facto prorus të gjysmës serbe të Bosnjes. Dodiku tashmë po përfiton nga ndërhyrjet e administratës Tramp.

Në maj, Christian Schmidt (Kristian Shmid), Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, një organ mbikëqyrës ndërkombëtar i krijuar në kuadër të marrëveshjes së paqes të vitit 1995 që i dha fund luftës civile në vend, tha se po jepte dorëheqjen, nën presionin amerikan. Ai kishte kundërshtuar dhënien pa tender të kontratës së gazit, gjë që bie ndesh me rregullat e BE-së. Zoti Shmid ishte përplasur prej kohësh me zotin Dodik.

Politika amerikane në Bosnje, thotë analisti Adi Çerimagiç, tashmë “drejtohet nga këta investitorë dhe nga këto investime”.

Rëndësia e investimeve në energji për politikën amerikane shtrihet në të gjithë rajonin. Gazpromi, kompania shtetërore ruse e gazit, ka mbajtur prej kohësh interes kontrollues në NIS, kompaninë më të madhe serbe të naftës dhe gazit. Por sanksionet amerikane ndaj Rusisë po e detyrojnë atë të shesë pjesën e saj te MOL, një kompani energjetike hungareze në pronësi shtetërore.

Zoti Brodiç pret që Amerika ta detyrojë Serbinë të blejë LNG amerikan. Dhe interesi i Amerikës shkon përtej gazit. Këtë muaj, qeveria serbe shpalli një thirrje për propozime për një hidrocentral të ri; sipas përcaktimit të saj, vetëm kompanitë amerikane duhet të aplikojnë.

Edhe Maqedonia e Veriut ishte më parë e varur nga gazi rus. Në shkurt, ajo nënshkroi një marrëveshje që e angazhon të blejë LNG amerikan.

Kosova e vogël është gjithashtu në vëmendjen e Amerikës. Ajo nuk ka asnjë tubacion që e lidh me rrjetet e gazit të rajonit. Në vitin 2021, Albin Kurti, kryeministri i saj, pezulloi një projekt për lidhjen e vendit me Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, pak para zgjedhjeve në Kosovë, më 7 qershor, i ngarkuari me punë i Amerikës në vend i kërkoi asaj të rikthente projektin, duke paralajmëruar se, përndryshe, rrezikonte të bëhej i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor “pa qasje në LNG amerikan”.

Kjo u pa gjerësisht si një thirrje për të votuar kundër zotit Kurti. Ai fitoi, por mund të vazhdojë gjithsesi me projektin e tubacionit. Mesazhi nga Amerika është i qartë: Nëse dëshironi të vazhdoni të keni mbështetjen tonë, shpërfillni europianët dhe blini gazin tonë.

Atje ku LNG-ja amerikane i ndihmon vendet e Ballkanit të ndalojnë blerjen e gazit rus, BE-ja e mirëpret atë. Problemi për europianët është përdorimi i presionit dhe shtrëngimit, si edhe premtimi i përfitimeve për njerëzit e afërt me pushtetin, si në anën amerikane, ashtu edhe në atë ballkanike, për t’i çuar marrëveshjet deri në fund.

Ata shqetësohen gjithashtu nga mundësia që vendet e Europës Jugore, të cilat kanë potencial të madh për energji diellore, të erës dhe hidroenergji, në vend të kësaj të shtyhen drejt përdorimit të gazit amerikan.

Europianët, me rregullat e tyre për qeverisjen e mirë dhe objektivat e gjelbra, e kanë të vështirë të konkurrojnë me kompani që u ofrojnë përfitime personale figurave të fuqishme të Ballkanit që nënshkruajnë marrëveshje për gazin. Por, në një botë ku rregullat po i lënë vendin fuqisë, ata mund të detyrohen të gjejnë mënyrën se si t’i përgjigjen ofertës amerikane.

Video

Situata me zjarret vijon të jetë kritike në Pukë, ku kanë përfshirë disa zona dhe flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave. Në Gojan, Gjegjan, Tërbun janë angazhuar 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Deri tani raportohet se janë djegur 4 banesa të pabanuara, ndërsa një banesë e banuar është shpëtuar.

Gjykata e Posaçme zbuti masën e sigurisë për Gentian Gjylin, ish-kreun e ARRSH-së. Nga arrest shtëpie, ndaj tij u caktuan masat e detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Momente dramatike janë regjistruar në ujëvarën Mae Sa, në Chiang Mai të Tajlandës, ku një përmbytje e befasishme mori përpara disa turistë brenda pak sekondash. Pamjet tregojnë ujin që vërshon me forcë, ndërsa disa persona humbin ekuilibrin dhe rrëmbehen nga rrjedha. Rojet e parkut ndërhynë menjëherë dhe arritën t’i nxirrnin të gjithë në siguri. Fatmirësisht, turistët shpëtuan pa lëndime serioze, duke pësuar vetëm disa gërvishtje të lehta. Autoritetet kanë kërkuar kujdes të shtuar gjatë sezonit të shirave, kur përmbytje të tilla mund të ndodhin papritur.

Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në aeroportin Carlisle, në Pensilvani, ku një avion i vogël Cessna 150 u përplas me një helikopter Bell 407 të Policisë së Shtetit. Nga përplasja humbi jetën piloti 57-vjeçar Paul Sokoloski, ndërsa dy efektivët që ndodheshin në helikopter mbetën të plagosur. Pamjet e publikuara tregojnë momentin e fortë të përplasjes, teksa helikopteri ndodhej pranë tokës. FAA dhe NTSB kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme