
Ebu Katede Albani, i njohur edhe si Abdul Jashari, nuk është më nën sanksionet amerikane. Ai njihet si drejtues i grupit “Xhemati Alban”, i përbërë kryesisht nga luftëtarë shqiptarë dhe aktiv prej vitesh në Siri.
Heqja e tij nga regjimi i sanksioneve vjen në kuadër të ndryshimeve të politikës amerikane ndaj Sirisë, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit hoqi vendin nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin. Ky hap ishte paralajmëruar më herët gjatë këtij viti dhe ishte në pritje të procesit të shqyrtimit nga Kongresi amerikan.
Përfshirja e një shteti në listën amerikane të vendeve që mbështesin terrorizmin shoqërohet me një sërë kufizimesh, mes të cilave ndalime apo kufizime të ndihmës së jashtme amerikane, eksporteve të pajisjeve të mbrojtjes dhe transaksioneve të caktuara financiare.
Ebu Katede Albani, me origjinë nga Shkupi, ka drejtuar gjatë dekadës së fundit “Xhemati Alban”, një grup i përbërë kryesisht nga shqiptarë me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Grupi është bërë i njohur gjatë konfliktit në Siri, ndërsa pjesëtarët e tij janë raportuar edhe si pjesë e njësive të snajperistëve që kanë vepruar në territorin sirian.






















