Rajoni 24 August 2026, 18:15 Nga VNA

“Jutarnji”: Vjeshtë e tensionuar në Ballkan, Kosova në krizë politike, Serbia dhe Bosnja drejt zgjedhjeve

Ndaje në Whatsapp
“Jutarnji”: Vjeshtë e tensionuar në Ballkan, Kosova

Ballkani Perëndimor po përballet me një vjeshtë të tensionuar politikisht, me Kosovën në një ngërç institucional, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën përballë proceseve zgjedhore, ndërsa rajoni vijon të jetë në qendër të interesave të NATO-s, Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Rusisë.


Kështu e nis analizën media kroate “Jutarnji list”, e cila vlerëson se KFOR-i mbetet një nga faktorët kryesorë për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe, rrjedhimisht, në të gjithë rajonin. Media kroate rikujton deklaratat e bëra në prill, pas një takimi në Zagreb për bashkëpunimin trepalësh Kroaci-Shqipëri-Kosovë, ku u theksua rëndësia e KFOR-it dhe stabilitetit të Kosovës për paqen rajonale.


Në qershor, nga Brukseli u njoftua se NATO do ta përshtaste gradualisht praninë e KFOR-it gjatë vitit të ardhshëm, duke marrë parasysh situatën e sigurisë në terren. Megjithatë, sipas “Jutarnjit”, situata më pas u shoqërua me tensione të reja.


Në analizë përmendet edhe paralajmërimi për zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, çështje që ka nxitur reagime në Serbi. Po ashtu, media kroate i referohet zhvillimeve në zonën e Liqenit të Ujmanit dhe deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Sipas “Jutarnjit”, kjo retorikë lidhet edhe me faktin se Vuçiq tashmë ka hyrë në fushatë zgjedhore.


Një pjesë e rëndësishme e analizës i kushtohet krizës politike në Kosovë. Sipas medias kroate, vendi ndodhet prej rreth 18 muajsh në një krizë institucionale, ndërsa proceset e njëpasnjëshme zgjedhore nuk kanë arritur të zgjidhin ngërçin politik.


Në artikull përmendet edhe deklarata e ish-politikanit Azem Vllasi lidhur me qasjen e kryeministrit Albin Kurti ndaj pushtetit. “Jutarnji” thekson se, pavarësisht zgjedhjeve të përsëritura, institucionet në Kosovë vijojnë të përballen me vështirësi në funksionimin e tyre, ndërsa zgjedhjet e reja nuk përjashtohen.


Megjithatë, sipas analizës, një tjetër proces zgjedhor në Kosovë nuk pritet të ketë ndikim të madh në stabilitetin rajonal, pasi prania e KFOR-it shihet si garanci për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.


Vëmendje të veçantë media kroate i kushton edhe Serbisë, ku zgjedhjet parlamentare janë paralajmëruar për 18 ose 25 tetor. Sipas “Jutarnjit”, Vuçiq ka vënë në lëvizje aparatin institucional dhe mediatik për të siguruar fitoren e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), ndërsa pritet të jetë pjesë e listës së saj.


Analiza paralajmëron për një situatë potencialisht të rrezikshme nëse pas zgjedhjeve edhe pushteti, edhe opozita shpallin fitoren dhe opozita pretendon se rezultati është manipuluar. Sipas autorit, në një skenar të tillë nuk përjashtohet mundësia e përshkallëzimit të protestave dhe përplasjeve politike. Për këtë arsye, “Jutarnji” e konsideron veçanërisht të rëndësishme praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, sidomos të Bashkimit Evropian.


Një tjetër pikë e rëndësishme e analizës është Bosnjë e Hercegovina, ku priten beteja të forta politike mes tri komuniteteve konstituive. Opozita serbe synon të largojë nga pushteti SNSD-në e Milorad Dodikut, ndërsa SDA kërkon rikthimin në pushtetin qendror. Në të njëjtën kohë, partitë kroate synojnë të sigurojnë zgjedhjen e një kandidati që e konsiderojnë përfaqësues legjitim të komunitetit kroat në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.


“Jutarnji” analizon gjithashtu interesat e fuqive të mëdha në rajon. Sipas medias kroate, Rusia synon të ruajë ndikimin e saj në Beograd dhe Banja Llukë, ndërsa Kina e sheh Serbinë si një platformë për zgjerimin e pranisë së saj. SHBA-ja, nga ana tjetër, e konsideron stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe paprekshmërinë e kufijve të Bosnjë e Hercegovinës ndër prioritetet e saj rajonale.
Në këtë kontekst përmendet edhe varësia energjetike e rajonit nga Rusia, e cila, sipas një dokumenti të Departamentit amerikan të Shtetit të cituar në analizë, mbetet një dobësi strategjike.


Për dallim nga Kosova, Serbia dhe Bosnja, “Jutarnji” vlerëson se situata në Malin e Zi është stabilizuar ndjeshëm, duke ia atribuar një pjesë të këtij stabilizimi anëtarësimit të vendit në NATO dhe perspektivës së integrimit në Bashkimin Evropian.


Në përfundim, media kroate e paraqet vjeshtën e vitit 2026 si një periudhë vendimtare për Ballkanin Perëndimor: Kosova përballet me ngërç institucional, Serbia me zgjedhje potencialisht të tensionuara, Bosnjë e Hercegovina me përplasje të forta politike, ndërsa NATO, BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia vazhdojnë të kenë interesa të drejtpërdrejta në stabilitetin dhe orientimin e rajonit.

Video

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

Një katastrofë e rëndë ka goditur Nepalin pranë kufirit me Tibetin, ku një masë e fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh përfshiu disa zona. Autoritetet nepaleze njoftuan se deri mbrëmjen e së mërkurës janë gjetur trupat e 157 viktimave, ndërsa qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes të zhdukurve raportohet se janë edhe qindra turistë, shumë prej tyre shtetas të huaj. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, automjete, rrugë, ura dhe infrastrukturë tjetër në zonat e prekura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fuqinë e rrjedhës, e cila ka marrë përpara gjithçka që ka gjetur në rrugën e saj. Të dhënat paraprake sugjerojnë se katastrofa mund të lidhet me shembjen e një mase akulli dhe shkëmbinjsh nga një akullnajë, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e saktë.

Ergys Agasi del nga ambientet e Policisë, niset drejt Bllokut të Sigurisë.

Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për ndalimin e Ergys Agasit, kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Liqenit të Thatë. Forca të policisë po kryejnë verifikime në terren, ndërsa aksioni vijon në disa pika. Policia pritet të dalë me detaje zyrtare për ecurinë e operacionit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme