Kryetarja e Kuvendit Kombëtar të Serbisë dhe përfaqësuesja e Partisë Përparimtare Serbe, Ana Bërnabiç, ka propozuar ndryshimin e Kushtetutës së vendit për t’i mundësuar Aleksandar Vuçiçit të kandidojë përsëri për president pasi të shërbejë si kryeministër. Bërnabiç e bëri këtë propozim gjatë një vizite në qendrat që lidhen me zgjedhjet në Beograd, raportoi N1.
Megjithëse zgjedhjet parlamentare ende nuk janë shpallur zyrtarisht, Bërnabiç u bëri thirrje mbështetësve të partisë që të votojnë për Vuçiçin, raportoi N1.
“Ne të gjithë do të votojmë, apo jo? Pastaj, ndërsa Vuçiçin është kryeministër, do ta ndryshojmë Kushtetutën dhe më pas ai mund të bëhet përsëri president. Ja pra, kemi një zgjidhje për gjithçka”, tha ajo.
Mandati i dytë presidencial i Vuçiçin përfundon në vitin 2027. Sipas nenit 116 të Kushtetutës së Serbisë, presidenti lejohet të zgjidhet për dy mandate. Pra, Vuçiçi pas përfundimit të këtij mandati ai nuk lejohet të kandidojë përsëri për president.
Vuçiçi ka deklaruar më parë se zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen më 18 ose më 25 tetor. Në korrik 2026, Vuçiçi tha se do të largohej nga posti i kreut të shtetit disa ditë pasi të shpalleshin zgjedhjet parlamentare.
Grupimi i demokratëve europianë në një postim në rrjetet sociale për këtë propozim shprehet:
“Kushtetutat mbrojnë demokracinë, ato nuk mund të rishkruhen sipas ambicies së një njeriu pa i hapur derën autokracisë. Ne besojmë se populli serb do të mbrojë rregullat demokratike dhe të bëjë që zëri i tyre të dëgjohet në zgjedhjet e ardhshme.”






















