
Në një kohë kur prej më shumë se nëntë muajsh nuk kryen asnjë fluturim dhe e ardhmja e saj mbetet e paqartë, “Air Albania” përballet edhe me detyrimet e prapambetura financiare.
Krahas proceseve gjyqësore me kompani vendase për detyrime të papaguara, tashmë paratë kompanisë ajrore shqiptare ia kërkon edhe Eurocontrol, Organizata Europiane për Sigurinë e Navigimit Ajror.
Sipas dokumenteve të çështjes, Eurocontrol kërkon nga “Air Albania” në total rreth 1 milion e 209 mijë euro, për tarifa të papaguara të korridoreve ajrore dhe terminaleve, përfshirë interesat e krijuara nga vonesat.
Konkretisht, Eurocontrol pretendon një detyrim prej 832,260 eurosh për tarifat e korridoreve ajrore dhe 154,266 euro interesa për pagesat e vonuara, duke e çuar këtë pjesë të detyrimit në 986,526 euro. Ndërkohë, për tarifat e terminalit kërkohen edhe 223,063 euro, përfshirë interesat.
Organizata kërkon gjithashtu që “Air Albania” të paguajë shpenzimet gjyqësore dhe ato të përfaqësimit ligjor.
Padia është depozituar që më 1 janar 2024, por çështja ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar në Gjykatën Civile të Tiranës.
Në gjashtë seancat e zhvilluara deri më tani, “Air Albania” nuk është paraqitur, pasi sipas dokumentacionit të çështjes kompania nuk ka marrë njoftim procedural përmes shkresave të dërguara në adresën zyrtare.
Për këtë arsye, gjyqtari i çështjes, Flamur Kapllani, ka vendosur që njoftimi të bëhet publikisht. “Air Albania” është njoftuar të paraqitet në seancën e radhës, të planifikuar për më 20 tetor, në orën 12:00.
Pavarësisht se prej muajsh nuk operon në treg, kompania vijon të figurojë me status aktiv në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Struktura e aksionerëve përbëhet nga “Turkish Airlines” me 49%, “MDN Investment” e Sinan Idrizit me 41% dhe shteti shqiptar me 10%.
Veprimi i fundit i regjistruar në QKB lidhur me kompaninë është kalimi, më 17 prill 2026, i aksioneve të zotëruara nga shteti nga Albcontrol te Ministria e Ekonomisë.
“Air Albania” nisi aktivitetin në shtator të vitit 2018, me fluturimin inaugurues në linjën Tiranë-Stamboll. Në vitet e para kompania siguroi një pjesë të konsiderueshme të tregut, por më pas u përball me vështirësi financiare.
Situata u përkeqësua në nëntor 2025, kur “Turkish Airlines” njoftoi vendimin për të shitur pjesën e saj prej 49% të aksioneve në “Air Albania”. Më pas u ndërpre edhe mundësia e shitjes së biletave tranzit përmes kompanisë shqiptare, ndërsa fluturimet nisën të anuloheshin dhe në dhjetor u ndërprenë përfundimisht.
Në janar 2026, “Turkish Airlines” njoftoi nisjen e fluturimeve të saj direkte nga Tirana drejt dy aeroporteve të Stambollit, “Istanbul Airport” dhe “Sabiha Gokcen Airport”.
Megjithatë, kompania turke rezulton se vazhdon të zotërojë 49% të aksioneve të “Air Albania”, ndërsa e ardhmja e kompanisë ajrore shqiptare mbetet ende e paqartë.






















