Kronika 31 August 2026, 15:36 Nga VNA

Tragjedia në Pogradec/ 37-vjeçarja shtatzënë humb jetën rrugës drejt Tiranës, familja denoncon vonesat në spital: Mund të kishte shpëtuar

Ndaje në Whatsapp

 

fgbfgbgb.jpg

Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në Pogradec, ku një 37-vjeçare, shtatzënë në muajin e shtatë, ka humbur jetën gjatë transportimit me urgjencë drejt Tiranës, ku do të merrte trajtim të specializuar mjekësor.

Viktima është Marjana Karolina Bunaj, me origjinë nga Mirdita dhe e martuar në Pogradec, e cila ishte në pritje të fëmijës së saj të parë.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi rrethanat që çuan në vdekjen e 37-vjeçares, ndërsa familjarët pretendojnë se në Spitalin e Pogradecit ka pasur vonesa përpara transferimit të saj drejt kryeqytetit.

Gjithçka ka nisur gjatë mesnatës, kur Bunaj ka shfaqur dhimbje të forta në bark. Ajo ka telefonuar motrën e saj, Albina Mekolli, e cila banonte pranë dhe ka shkuar menjëherë për ta marrë, duke e transportuar drejt maternitetit të Pogradecit.

Sipas dëshmisë së motrës, pas mbërritjes në maternitet, 37-vjeçarja është vizituar nga mjekja roje dhe i është nënshtruar një ekzaminimi me eko, pas të cilit janë ngritur dyshime për gjakderdhje të brendshme.

Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, mjekët kanë vlerësuar se pacientja kishte nevojë për trajtim më të specializuar dhe se duhej të transferohej drejt Tiranës.

Raportimet paraprake tregojnë se 37-vjeçarja ishte paraqitur me parametra të ulët jetësorë dhe fillimisht është konsideruar në gjendje të patransportueshme. Ajo është trajtuar në reanimacion dhe i është dhënë gjak, ndërsa transferimi është kryer pasi mjekët kanë vlerësuar se gjendja e saj e lejonte transportin.

Gjatë këtyre orëve është diskutuar edhe mundësia e transportimit të pacientes me helikopter drejt Tiranës, por një mundësi e tillë nuk është realizuar për shkak të orarit të natës.

Pikërisht koha e kaluar në Spitalin e Pogradecit përpara nisjes drejt kryeqytetit është kthyer tashmë në objekt të pretendimeve të familjes.

Motra e 37-vjeçares thotë se transferimi duhej të ishte kryer më shpejt dhe pretendon se janë humbur më shumë se tre orë përpara nisjes së ambulancës.

Sipas të dhënave të deritanishme, rreth orës 04:30 të mëngjesit Marjana Karolina Bunaj është nisur me ambulancë nga Pogradeci drejt Tiranës.

Por gjatë udhëtimit gjendja e saj është përkeqësuar ndjeshëm.

Në afërsi të Elbasanit, 37-vjeçarja ka ndaluar së reaguari, duke detyruar personelin shëndetësor që ndodhej në ambulancë të kërkonte dërgimin e saj drejt spitalit të Elbasanit. Pavarësisht përpjekjeve, gruaja nuk ka mundur të mbijetojë.

Motra e saj, e cila ndodhej gjithashtu në ambulancë, pretendon se Marjana ka mbërritur pa shenja jete në spital.

Pas konstatimit të vdekjes, trupi i 37-vjeçares është dërguar për kryerjen e autopsisë mjeko-ligjore, e cila pritet të përcaktojë edhe shkakun e saktë të vdekjes.

Ndërkohë, familjarët kërkojnë që të hetohet e gjithë kronologjia e trajtimit të saj, nga momenti i paraqitjes në maternitetin e Pogradecit deri te nisja me ambulancë drejt Tiranës.

Motra e viktimës, Albina Mekolli, ka deklaruar se gjatë qëndrimit në Pogradec, 37-vjeçares nuk i është kryer ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa është mbajtur nën trajtim me serume dhe gjak.

Familja beson se një transport më i shpejtë drejt Tiranës mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjes, megjithëse mbetet në dorën e ekspertizës mjeko-ligjore dhe hetimeve për të përcaktuar nëse ka pasur mangësi apo vonesa në trajtimin e pacientes dhe nëse ato kanë ndikuar në humbjen e jetës së saj.

“Kërkoj drejtësi, të zbardhet e vërteta, a ndërroi jetë nga pakujdesia apo jo. Unë besoj që nëse do të kishte më shumë shpejtësi, sot do të ishte mes nesh”, është shprehur motra e 37-vjeçares.

Pas ngjarjes, ajo raportohet se është paraqitur edhe në polici për të bërë kallëzim, ndërsa tashmë pritet që hetimet dhe autopsia të hedhin dritë mbi shkaqet dhe rrethanat e plota të vdekjes së gruas shtatzënë.

Tragjedia bëhet edhe më e rëndë për shkak të historisë familjare të 37-vjeçares. Bashkëshorti i saj ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm pak ditë përpara ngjarjes. Ai dhe familjarët e tij jetonin në SHBA, ndërsa Marjana priste t'u bashkohej atje.

Fëmija që 37-vjeçarja mbante në bark ishte i pari për çiftin.

Tashmë, përtej tragjedisë që ka goditur familjen, mbetet për t'u zbardhur zyrtarisht e gjithë kronologjia mjekësore e rastit dhe nëse gjithçka është kryer sipas protokolleve. Përgjigjet përfundimtare pritet të vijnë nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe hetimet e autoriteteve.

Video

Igli Tare ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas rreth tre orësh. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare u paraqit këtë të hënë në SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen “Balluku”. Sipas dyshimeve të ngritura në kuadër të hetimit, Tare dyshohet se ka mbajtur në emrin e tij një vilë në Dhërmi, e cila dyshohet se i përket ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Prona në fjalë është vendosur nën sekuestro.

KPP “shpëton” tenderin 340 mijë euro të Celibashit/ Kriteret si “kostum me porosi”, por KPP mbyll sytë para elefantit në dhomë

Si e shpëtoi Belinda Balluku mandatin dhe veten nga prangat më 2 korrik, kur opozita vendosi të flinte gjumë....

Ish-zyrtari i policisë që shoqëronte Ergys Agasin, Ulian Shpataraku izolohet në paraburgimin e Peqinit

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme