Real Madridi do ta nisë aventurën e re në Ligën e Kampionëve me një pengesë të rëndësishme, pasi nuk do të ketë në dispozicion tre prej futbollistëve kryesorë për përballjen ndaj Interit.
Arda Guler, Eduardo Camavinga dhe Bernardo Silva do të mungojnë në ndeshjen e 8 shtatorit në “Santiago Bernabeu”, për shkak të pezullimeve të bartura nga edicioni i kaluar i kompeticionit.
Sipas rregullave të UEFA-s, kartonët e verdhë të grumbulluar pastrohen në përfundim të sezonit, ndërsa pezullimet e shkaktuara nga kartonët e kuq vazhdojnë të jenë në fuqi dhe transferohen në edicionin pasues.
Guler dhe Camavinga u ndëshkuan me kartonë të kuq pas dy të verdhëve në ndeshjen çerekfinale ndaj Bayern Munichut. Të dy futbollistët u dënuan me nga një ndeshje pezullim.
Ndërkohë, Bernardo Silva u ndëshkua me karton të kuq direkt gjatë kohës kur luante për Manchester Cityn. Portugezi përdori dorën për të ndalur një goditje që po shkonte drejt portës në ndeshjen e dytë të fazës së 1/8 së finales kundër Real Madridit.
Nëse UEFA nuk merr ndonjë vendim të veçantë, trajneri Jose Mourinho do të jetë i detyruar ta përgatisë ndeshjen ndaj Interit pa këta tre futbollistë.
Për Real Madridin bëhet fjalë për një mungesë të rëndësishme në një prej përballjeve më të mëdha të fazës hapëse të Champions League, ndërsa “Los Blancos” synojnë ta nisin kompeticionin me një rezultat pozitiv përballë skuadrës italiane.






















